Gjykata Kushtetuese ka vendosur një datë që mund të përcaktojë fatin e legjislaturës: nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 6 tetor 2026, Kuvendi shpërndahet dhe Kosova shkon në zgjedhje të reja. Në të njëjtin aktgjykim, ushtruesja e detyrës së Presidentes merr vërejtje, ndërsa deputetëve u kujtohet se mund ta thërrasin vetë seancën konstituive.

Ora kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të Kosovës tashmë ka një datë përfundimi. Sipas aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për këtë zgjedhje "përfundon më 6 tetor 2026". Nëse deri atëherë Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë kreun e shtetit, ai shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditësh nga ajo datë.
Aktgjykimi erdhi si përgjigje ndaj kërkesës së PDK-së, e cila kishte vënë në pikëpyetje mënyrën se si u konstituua legjislatura e re. Gjykata konstatoi se Kuvendi u konstituua pasi kishte kaluar afati 30-ditor i përcaktuar me Kushtetutë. Sipas Kushtetueses, ky afat skadoi më 8 gusht, dhe pikërisht nga ajo ditë nisi të rrjedhë afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
Në qendër të arsyetimit është ushtruesja e detyrës së Presidentes, Haxhiu. Gjykata i jep asaj një vërejtje të kujdesshme, sepse seancën konstituive e thirri në ditën e 29-të të afatit 30-ditor. "Në kuptim të procedurës së zhvilluar, Gjykata fillimisht vëren që Seanca Konstituive nga U.d. Presidentja është thirrur të mbahet në ditën e 29-të pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ", thuhet në aktgjykim. Gjykata shton se çështjen e afatit tridhjetëditor, të specifikuar në paragrafin 1 të nenit 66 të Kushtetutës, e kishte shqyrtuar edhe më herët, në rastin KO124/25.
Kushtetuesja rikujton se mbajtja e seancës konstituive brenda këtij afati nuk është një mundësi formale apo thjesht orientuese, por një detyrim kushtetues i lidhur ngushtë me fillimin e mandatit të legjislaturës së re. Sipas Gjykatës, çdo person i veshur me fuqi apo autorizim publik ka përgjegjësi që veprimet e tij të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në "mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për shtetin".
Mesazhi i dytë i aktgjykimit u drejtohet deputetëve. Gjykata citon dispozitën kushtetuese sipas së cilës "Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit". Prej këtu, Kushtetuesja nxjerr përfundimin se "një detyrim për thirrje të Seancës Konstituive të Kuvendit përveç se bie në përgjegjësinë e Presidentit bie edhe në përgjegjësinë e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit". Me fjalë të tjera, deputetët nuk kanë pse të presin: ata mund ta thërrasin vetë seancën e parë.
Vonesa nuk mbaroi me thirrjen e seancës. Seanca konstituive, e nisur më 6 gusht, u ndërpre dy herë radhazi me kërkesë të kryeministrit dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, i cili nuk e propozonte kandidatin për kryeparlamentar. Kurti e konsideronte të padobishme zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të nënkryetarëve pa një marrëveshje paraprake për zgjedhjen e presidentit.
Pikërisht ajo marrëveshje tani ka një afat të prerë. Me datën e 6 tetorit të vendosur nga Gjykata, partitë në Kuvend kanë përpara një zgjedhje të qartë: ose e gjejnë emrin e presidentit brenda afatit, ose vendi rikthehet në kutitë e votimit.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

