Qeveria mban nën vëzhgim të përditshëm fitimet e importuesve të naftës dhe kërcënon me rikthimin e çmimit tavan nëse çmimet në pompë nuk bien. Ministrja Mimoza Kusari-Lila u kërkon qytetarëve të mos blejnë te kompanitë që shesin më shtrenjtë.

Çmimi tavan për naftën dhe derivatet e saj mund të rikthehet në Kosovë brenda pak ditësh, nëse tregu nuk reagon me ulje. Paralajmërimin e bëri ministrja Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se institucionet po ndjekin çdo ditë marzhën e fitimit të bizneseve që importojnë karburante.
Sipas saj, çmimi i naftës në vend nuk vendoset në mënyrë arbitrare, por varet drejtpërdrejt nga importi. "Në Kosovë, çmimi i përcaktuar i naftës është çmim që përcaktohet nga importi, nga çmimi dhe sasia e derivateve që importohen. Ne jemi duke përcjellë në baza ditore marzhën e fitimit për bizneset importuese", tha Kusari-Lila.
Ministrja pohoi se gjatë ditëve të fundit është vërejtur një stabilizim i çmimeve, por la të kuptohet se ky stabilizim duhet të pasqyrohet edhe në pikat e shitjes. Ajo iu drejtua drejtpërdrejt konsumatorëve: "Nëse këto dy-tre ditët e fundit ka pasur stabilizim të çmimit të naftës, sikur të kishim marzhën, çmimi do të sillej në të njëjtin rang. Kompanitë që kanë çmim më të lartë, qytetarët mund të zgjedhin të mos blejnë tek ato".
Situata, sipas Kusari-Lilës, do të vazhdojë të monitorohet edhe në ditët në vijim, ndërsa vendimi për ndërhyrje në treg varet nga lëvizja e çmimeve. Afat të saktë ajo nuk dha. "Ne jemi duke e shqyrtuar me kujdes. Nëse kemi edhe pak ditë, nëse vazhdon çmimi i njëjtë apo i ulur dhe çmimi në treg nuk ulet, atëherë do ta rikthejmë përcaktimin e çmimit tavan për naftën dhe derivatet e saj", deklaroi ministrja.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

