Pas konstituimit të Kuvendit, Albin Kurti tregoi se vendimi i LVV-së për t'i votuar Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën si nënkryetarë u mor me shumicë votash, në një mbledhje që ai e quajti "të vështirë". Në orën 14:00 pritej seanca për formimin e Qeverisë së re.

Sapo kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e mbylli seancën konstituive, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, doli para mediave dhe zbuloi se pajtimi brenda partisë së tij kishte ardhur me mundim.
"Mbrëmë kemi pasur një mbledhje të vështirë të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën me shumicë të votave kemi marrë vendim për t'i votuar kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e PDK-së e LDK-së, përkatësisht zonjën Vlora Çitaku dhe z. Kujtim Shala", tha Kurti, duke iu referuar kandidates së Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai la të hapur edhe vendin e nënkryetarit të dytë. "Nënkryetari i dytë i Kuvendit të Republikës së Kosovës i takon Partisë Demokratike të Kosovës. Në çdo moment që janë të gatshëm ta propozojnë zonjën Vlora Çitaku, ne menjëherë do ta votojmë. Urime të gjithëve konstituimi i Kuvendit", theksoi kryetari i LVV-së.
Kurti vlerësoi se "u bë mirë që u konstituua Kuvendi" dhe se, edhe pse procesi zgjati, "megjithatë është arritje" fakti që nga tetë muaj vitin e kaluar, "tash e kishim tre muaj" periudha deri te konstituimi.
Leximi i tij nuk ndahet nga të gjithë. Zyrtarë të partive të tjera parlamentare pohojnë se LVV-ja e zvarriti qëllimisht konstituimin deri sot, në mënyrë që afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit t'i lejojë pastaj t'i çojë zgjedhjet e reja në fund të dhjetorit, kur mërgimtarët zakonisht vijnë në Kosovë për pushime.
Ndërkohë, procesi i radhës nisi menjëherë. Kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, Arbërie Nagavci, i dërgoi shkresën ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, me propozimin që Kurti të caktohet mandatar. Pak minuta më vonë erdhi vendimi: "Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kam caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës", shkroi Haxhiu në një postim në Facebook.
Seanca për formimin e Qeverisë së re pritej të niste në orën 14:00, siç konfirmoi nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë, Emilija Rexhepi. Në fokus të saj janë prezantimi i programit qeverisës dhe i përbërjes së kabinetit, si dhe votimi i deputetëve për qeverinë e propozuar, votim që përcakton nëse vendi do të dalë nga pasiguria politike apo do të mbetet me një qeveri në detyrë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

