Kryeministri Albin Kurti u ul sot me dy liderët e opozitës, por jo në të njëjtën tryezë. Nesër Kuvendi mblidhet për betimin e deputetëve, ndërsa afati për zgjedhjen e Presidentit mbetet 6 tetori.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot me dy liderët kryesorë të opozitës, por jo në të njëjtën tryezë. Sipas informacioneve të Lajmi.net, Kurti zhvilloi dy takime të veçanta: njërin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe tjetrin me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun.
Përmbajtja e bisedave mbetet e panjohur. Deri tani, as Kurti, as Hamza e as Abdixhiku nuk kanë dhënë ndonjë detaj për temat e diskutuara apo për ndonjë mirëkuptim të mundshëm.
Takimet u mbajtën në prag të një seance të rëndësishme. Nesër Kuvendi i Kosovës mblidhet për betimin e deputetëve të rinj, ndërsa në të njëjtën seancë pritet të emërohet nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së.
Në Kuvend pret edhe një çështje e ndjeshme: PDK ka proceduar një kërkesë për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë. Nuk dihet ende nëse kjo kërkesë do të trajtohet në seancën e nesërme.
Seanca vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se Kuvendi është konstituuar me vonesë, por e vlerësoi Qeverinë si kushtetuese. Po Kushtetuesja ka përcaktuar edhe afatin që tani rëndon mbi të gjitha partitë: zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet më së voni më 6 tetor.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

