Qeveria e re e Albin Kurtit u miratua të dielën me 62 vota, por agjencitë e mëdha ndërkombëtare paralajmërojnë se paqja politike është e shkurtër: nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin, Kosova shkon në zgjedhjet e katërta brenda dy vjetësh.

Gjashtëdhjetë e dy vota nga 120 deputetë e kthyen të dielën Albin Kurtin në krye të qeverisë së Kosovës. Por, në raportimet e agjencive më të mëdha të lajmeve, numri i votave nuk u lexua si fund i krizës, por si pauzë e shkurtër para provës së radhës: zgjedhjes së presidentit.
Votimi i 13 shtatorit 2026 e nxori qeverinë e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Reuters e titulloi lajmin me formulën se Kuvendi i Kosovës rizgjedh Albin Kurtin kryeministër dhe se kriza politike vazhdon, duke paralajmëruar që në hyrje se dështimi i zgjedhjes së presidentit mund ta çojë vendin drejt një pale tjetër zgjedhjesh të parakohshme.
Në të njëjtën linjë ishte edhe agjencia amerikane AP, që shkroi se Kosova bëhet me qeveri të re, por vazhdon ngërçi politik. Al-Jazeera, duke u mbështetur në raportimet e Reutersit dhe të agjencisë franceze AFP, vlerësoi se ekzekutivi i porsazgjedhur i ofron Kosovës vetëm një periudhë të shkurtër qetësie para votimit të diskutueshëm presidencial. Agjencia italiane ANSA raportoi për mbështetjen parlamentare ndaj kabinetit të propozuar nga Kurti, por në nëntitull shkroi se destabiliteti politik pritet të vazhdojë në demokracinë më të re të Europës.
Në adresimin e tij, të cilit i referohet Reuters, kryeministri i rizgjedhur foli për një mandat të ri të lidhur me restaurimin e sigurisë dhe të prosperitetit për qytetarët.
Nyja mbetet Presidenca. Reuters kujton marrëveshjen e arritur në fundgusht mes Kurtit dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjen e profesorit të së drejtës, Bekim Sejdiu, në postin e presidentit. Vetëm një ditë më vonë, ujdia u kundërshtua nga 6 deputetë të LDK-së, të cilët deklaruan se nuk do ta respektonin vendimin e kryetarit të tyre partiak, Lumir Abdixhiku. Mbetet e paqartë nëse do të ketë fare votim për shefin e ri të shtetit; nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë, Kosova do të mbajë zgjedhjet e katërta brenda dy vjetësh.
Aritmetika e bën çështjen edhe më të ndërlikuar. Sipas Al-Jazeerës, Vetëvendosja e Kurtit ka nevojë për mbështetje nga opozita për t'i siguruar dy të tretat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, një post me rol kryesisht simbolik. Partia e Kurtit ka fituar tre palë zgjedhje të mbajtura nga shkurti 2025, përfshirë dy palë zgjedhje të parakohshme në dhjetor 2025 dhe në qershor 2026, por nuk ka arritur të grumbullojë mbështetjen e mjaftueshme për ta instaluar presidentin.
Edhe seanca e së dielës u zhvillua në një klimë përçarjeje. Deputetët opozitarë të PDK-së dhe të Aleancës e bojkotuan atë, duke deklaruar se do të kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese të vlerësojë nëse pati shkelje me rastin e konstituimit të Kuvendit, ndërsa LDK-ja nuk mori pjesë në votimin për Qeverinë e Kurtit. Sipas AP-së, deputetët nuk i zgjodhën as të gjithë nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa zgjedhja e presidentit mbetet nyja më e madhe e krizës aktuale politike, një ngërç tashmë tetëmbëdhjetëmujor, i shkaktuar nga mosmarrëveshjet e liderëve kryesorë dhe i pazgjidhur edhe pas dy palë zgjedhjesh të parakohshme.
Kostoja e këtij bllokimi nuk është vetëm institucionale. Reuters thekson se Kosova, një prej vendeve më të varfra të Europës, synon anëtarësimin në Bashkimin Europian, por Brukseli ka përsëritur vazhdimisht se vendit i duhen institucione të qëndrueshme, të afta të zbatojnë reformat e kërkuara për anëtarësim, teksa destabiliteti politik ka shtyrë reformat dhe ka ngadalësuar qasjen në fondet e BE-së. Al-Jazeera shkruan se përplasjet me Perëndimin kanë pasur pasoja ekonomike dhe politike për Kosovën, duke kujtuar se SHBA-ja dhe BE-ja i kishin bërë thirrje Kurtit të ndërmerrte veprime për deeskalimin e tensioneve në veri të vendit pas luftimeve vdekjeprurëse ndërmjet policisë së Kosovës dhe formacioneve paramilitare të armatosura serbe.
Në sfondin e këtij raportimi ndërkombëtar qëndron edhe statusi i vendit. AP rikujton se Kosova është njohur nga Shtetet e Bashkuara dhe nga shumica e vendeve të Bashkimit Europian, por jo nga Serbia dhe aleatët e saj, Rusia e Kina, duke iu referuar sfondit të luftës së viteve 1998-99 dhe ndërhyrjes së NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

