Kryeministri në detyrë Albin Kurti u takua me kreun e ri të EULEX-it, Antero Lopes, ku në qendër të bisedës ishin monitorimi i drejtësisë, trajtimi i rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Antero Lopes, të cilin e uroi për detyrën e re dhe i dëshiroi sukses gjatë mandatit.
Në takim, Kurti falënderoi EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm në Kosovë, veçanërisht për monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet vendore.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua trajtimit institucional të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore. Kryeministri theksoi nevojën për reagim të shpejtë dhe të koordinuar mes Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, duke vënë në prioritet mbrojtjen e viktimave. Ai shprehu mirënjohje për monitorimin e EULEX-it në këtë fushë.
Bisedimet prekën edhe situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kurti nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informatave dhe vëmendjes së shtuar ndaj rreziqeve të sigurisë, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Në përfundim, kryeministri rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in gjatë mandatit të Lopes.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

