Në ditën kur KFOR-i ndërroi komandën, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takimin e parë me gjeneralmajor Roberto Vergori dhe të tretin këtë vit me admiralin George M. Wikoff. Kurti rikonfirmoi synimin e Kosovës për t'u bërë anëtare e NATO-s.

KFOR-i ka që sot një komandant të ri, dhe një nga takimet e tij të para ishte me kryeministrin e Kosovës. Menjëherë pas ceremonisë së ndërrimit të komandës, Albin Kurti priti gjeneralmajor Roberto Vergori, komandantin e ri të misionit në Kosovë, së bashku me admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli.
Vergori mori drejtimin e KFOR-it nga gjenerali turk Ozkan Ulutas. Për Kurtin ishte takimi i parë me komandantin e ri, ndërsa me Wikoff ishte hera e tretë që uleshin në tryezë gjatë këtij viti.
Sipas kryeministrit, biseda u përqendrua te siguria. "Në takimin e tretë këtë vit me Admiralin Wikoff dhe të parin me Gjeneralmajor Vergori, biseduam për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimet dhe aktualitetin, sikurse për bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet institucioneve të Republikës dhe NATO-s", shkroi Kurti në Facebook.
Kryeministri falënderoi Aleancën për rolin e saj në Kosovë dhe në rajon, duke rikujtuar edhe synimin e vendit për anëtarësim. "Jemi falënderues dhe mirënjohës për kontributin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, anëtare e së cilës synojmë të bëhemi, për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë dhe mbarë Ballkanin Perëndimor. E, po ashtu për përkushtimin për mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet", shtoi ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

