Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, kërkoi vetë takimet me tre liderët e partive parlamentare pas vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Tema: "seriozitetin e situatës së krijuar" dhe mundësitë e bashkëpunimit.

Pas vendimit të Hagës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zgjedhur rrugën e bisedave të drejtpërdrejta: një ditë, tre takime të ndara, me tre liderët e partive parlamentare, Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin.
Takimet, sipas Hamzës, u zhvilluan me kërkesën e tij. "Sot, me kërkesën time, pas vendimit në Hagë, u takova ndaras me tre liderët e partive parlamentare, z. Kurti, z. Abdixhiku dhe z. Gjini. I falënderoj të tre për takimet. Ne biseduam për seriozitetin e situatës së krijuar, sfidat me të cilat po përballemi, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në këtë periudhë të rëndësishme për popullin dhe shtetin tonë", shkroi ai në Facebook.
Në përshkrimin e tij, agjenda e bisedave kishte tri boshte: gjendja e krijuar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, sfidat me të cilat po përballet vendi dhe mundësitë konkrete të bashkëpunimit mes partive në këtë fazë.
Takimi me kryeministrin Kurti ishte bërë i njohur më herët. Njoftimi i radhës e zgjeron këtë varg kontaktesh edhe me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe me atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke e shndërruar reagimin e PDK-së ndaj vendimit të Hagës në një raund të plotë konsultimesh mes forcave politike të Kuvendit.
Nga tre liderët e takuar nuk ka reagim publik për përmbajtjen e bisedave, ndërsa asnjë vendim apo iniciativë e përbashkët nuk është paralajmëruar deri tani.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

