Dy ditë para shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së, kryeministri Albin Kurti e hapi mbledhjen e parë të qeverisë së re me një mesazh të drejtpërdrejtë: rezistenca e Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare.

Mbledhja e parë e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës, e mbajtur sot pas votimit të saj në Kuvendin e Kosovës, nisi me temën që pret vendin këtë javë: verdiktin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili pritet të shpallet pasnesër.
Kryeministri Albin Kurti u ndal gjatë mbledhjes te qëndrimi i shtetit ndaj asaj çka gjykohet në Hagë. Sipas tij, për Kosovën nuk ka asnjë paqartësi: lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare.
"Pasnesër Kosova, ne të gjithë presim vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për drejtuesit e UÇK-së. Për ne është gjithçka e qartë, populli i Kosovës, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare, kundrejt një pushtuesi që ka kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid", tha Kurti.
Kryeministri shprehu më tej shpresën se vendimi i së mërkurës do të përkojë me atë që ai e cilësoi si të drejtë, duke pritur lirimin e të akuzuarve.
"Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe që drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre dhe pranë familjeve", u shpreh ai.
Vendimi i Gjykatës Speciale mbetet ende i pashpallur dhe asnjë përfundim gjyqësor nuk mund të parashikohet para leximit të tij në Hagë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

