Në Nju Jork, pak para Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri i Kosovës e çoi te një kongresmen amerikan çështjen e aktgjykimit të Hagës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar korrigjim të plotë në apel.

Aktgjykimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së u bë temë e bisedës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me kongresmenin amerikan Mike Lawler. Takimi u zhvillua gjatë qëndrimit të Kurtit në Shtetet e Bashkuara, para Javës së Nivelit të Lartë të UNGA81, sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork.
Kurti i tha kongresmenit se vendimi i shkallës së parë përmban pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Ai u ndal veçanërisht te pretendimet për trafikim organesh, të përfshira në raportin e Dick Marty-t, të cilat, sipas tij, nuk u ngritën asnjëherë si akuzë nga Prokuroria.
"Vendimi injoroi pretendimet fyese dhe të pabesueshme për trafikimin e organeve të raportit të Dick Marty-t, të cilat ishin aq të pabesueshme sa që nuk u ngarkuan as nga Prokuroria", tha Kurti.
Sipas tij, gjykata ka rrëzuar edhe akuzat për krime kundër njerëzimit. "Ajo gjithashtu hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit", u shpreh ai.
Pjesën tjetër të aktgjykimit, kryeministri i Kosovës e konsideron të kundërshtueshme në shkallën e dytë. "Gjetjet e mbetura, megjithatë, u bazuan në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime ligjore. Ne presim që këto të korrigjohen plotësisht në apel", deklaroi Kurti. Aktgjykimi i shkallës së parë mund të ankimohet dhe procesi gjyqësor vazhdon në procedurat e apelit.
Biseda me Lawler-in nuk u kufizua te Haga. Në postimin e tij në rrjetin social X, të datës 21 shtator 2026, Kurti shkroi se me kongresmenin diskutoi marrëdhëniet Kosovë-SHBA, investimet dhe situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke kërkuar mbështetjen e tij për adresimin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi: "Para Javës së Nivelit të Lartë të UNGA81 në Nju Jork, u takova me kongresmenin @RepMikeLawler për të diskutuar marrëdhëniet Kosovë-SHBA, investimet dhe situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. I kërkova mbështetjen e tij për adresimin e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, e cila…".
Në takim mori pjesë edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

