Kuvendi i Kosovës votoi kabinetin Kurti 4 me 62 vota për dhe tetë kundër, me një listë ministrash identike me atë të mëparshme. PDK dhe AAK bojkotuan seancën dhe paralajmëruan kundërshtimin e formimit të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese.

Numri ndryshoi, ekipi jo. Kuvendi i Kosovës i dha besimin qeverisë së re, e cila tashmë quhet Kurti 4, me 62 vota për dhe tetë kundër, pa asnjë abstenim. Kundër votuan tetë deputetët e Listës Serbe.
Lista e kabinetit mbetet e njëjtë me atë të Qeverisë Kurti 3. Glauk Konjufca vazhdon si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla mbetet zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, ndërsa Fikrim Damka rikonfirmohet zëvendëskryeministër i tretë. Hekuran Murati qëndron në krye të Financave, Ejup Maqedonci në Mbrojtje dhe Xhelal Sveçla në Punë të Brendshme.
Në kabinet vazhdojnë gjithashtu Arben Vitia, Hajrulla Çeku, Saranda Bogujevci, Elbert Krasniqi, Blerim Gashani, Fitore Pacolli, Armend Muja, Mimoza Kusari, Dimal Basha, Artane Rizvanolli, Nenad Rashiq dhe Rasim Demiri. Pjesë e kabinetit të ri është edhe Andin Hoti.
Seanca u zhvillua pa tri parti opozitare: PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk morën pjesë në votim. PDK-ja dhe AAK-ja shkuan një hap më tej se bojkoti, duke paralajmëruar se do ta kundërshtojnë në Gjykatën Kushtetuese formimin e qeverisë, të cilin e konsiderojnë jokushtetues.
Ky është pikërisht testi që i pret të gjithë: legjitimiteti i kabinetit të votuar do të varet edhe nga fjala përfundimtare e Gjykatës Kushtetuese, nëse ankesa e dy partive opozitare depozitohet.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

