Ish-zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Charles Kupchan, thotë se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit nuk sjell tërheqje njohjesh e as ndalesa në rrugën euroatlantike të Kosovës, por e lidh përgjithmonë emrin e ish-presidentit me një trashëgimi të ndërlikuar.

Aktgjykimi i Hagës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, mund të jetë "një tronditje afatshkurtër", por jo një goditje që e ndryshon pozitën ndërkombëtare të vendit. Ky është vlerësimi i Charles Kupchan, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe profesor në Universitetin Georgetown, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Pyetja që shtrohet pas dënimit është nëse Perëndimi detyrohet ta rilexojë periudhën në të cilën Thaçi ishte figura e mbështetur nga Uashingtoni dhe aleatët e tij për ta çuar Kosovën drejt pavarësisë. Kupchan nuk mendon se do të ndodhë një gjë e tillë.
"…sepse Thaçi e bëri atë kalim, apo jo? Nga një udhëheqës i kohës së luftës, i dënuar tani për mizori, ai u bë një udhëheqës civil që ndihmoi Kosovën të ecte drejt pavarësisë dhe të ndërtonte marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, me fuqitë evropiane dhe me të tjerët. Prandaj, nuk mendoj se kjo do të ndryshojë", thotë ai.
Në leximin e tij, pasojat praktike janë të kufizuara: nuk pritet tërheqje e njohjeve, as dëmtim i partneriteteve me Perëndimin, as pengim i rrugës euroatlantike. Edhe procesi i normalizimit me Serbinë, sipas Kupchan, nuk vihet në pikëpyetje. Përkundrazi, në planin afatgjatë ai sheh edhe mundësinë e një efekti pozitiv, nëse procesi lexohet si dëshmi se drejtësia zbatohet njësoj për të gjithë.
Për vetë çështjen e krimeve të luftës, ish-zyrtari amerikan ndan qartë kauzën nga veprimet. "Kosova po luftonte për t'u mbrojtur nga spastrimi etnik dhe, për këtë arsye, lufta për pavarësi ishte një luftë e drejtë. Megjithatë, një luftë e drejtë nuk i justifikon krimet e luftës. Një padrejtësi nuk mund të arsyetohet me një padrejtësi tjetër. Nëse Thaçi dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kanë kryer krime lufte, edhe pse kauza për të cilën luftonin ishte e drejtë, atëherë mendoj se gjykata ka bërë atë që duhej të bënte", thotë Kupchan.
I pyetur se cili imazh i Thaçit do të peshojë më shumë pas disa dekadash, ai i refuzon të dyja alternativat si përjashtuese. "Si edhe me udhëheqës të tjerë që kanë bërë gjëra të guximshme dhe me vlerë, por që njëkohësisht janë akuzuar edhe për vepra penale, përfshirë krime lufte, edhe në rastin e Thaçit ekzistojnë të dyja anët. Është një trashëgimi e ndërlikuar. Thaçi do të kujtohet për rolin që kishte në udhëheqjen e Kosovës drejt pavarësisë. Por, në të njëjtën kohë, trashëgimia e tij tash do të jetë e lidhur edhe me këtë aktgjykim", thekson ai.
Se cila nga këto dy anë do të mbizotërojë në kujtesën publike, mbetet një pyetje e viteve që vijnë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

