Halil Thaçi thotë se iu dërgua fjalë se nuk do ta linin gjallë nëse vinte në komunë të hënën, pasi e zhvendosi Hajrullah Preniqin nga Inspeksioni në Emergjenca. Preniqi i quan akuzat shantazh.

Një zhvendosje në detyrë brenda Komunës së Obiliqit është kthyer në një përplasje me akuza për kërcënim me jetë. Kryetari i komunës, Halil Thaçi, pretendon se ish-drejtori i Inspeksionit, Hajrullah Preniqi, i ka çuar njerëz me mesazhin se të hënën nuk do ta linin në jetë nëse vinte në komunë. Preniqi i mohon akuzat dhe i quan ato shantazh.
Sipas Thaçit, gjithçka nis nga vendimi i tij për ta hequr Preniqin nga kreu i Inspeksionit dhe për ta caktuar drejtor të Emergjencave. Kryetari këmbëngul se lëvizja është në kompetencën e tij dhe se nuk e ka dëmtuar zyrtarin në asnjë drejtim. "Arsyeja është se ai po pretendon me u kthye si shef i inspekcionit edhe për këtë arsye, menaxhimi i burimeve njerëzore më takon mua si kryetar komune, edhe lëvizjen që unë e kam bërë prej shefit të inspekcionit e kam dërguar në shef të emergjencave. Pra, unë nuk e kam dëmtuar asgjë në pagë, as në pozitë, vetëm e kam, arsye se ia kam ndërruar drejtorin", deklaroi ai.
Kërcënimi, sipas kryetarit, nuk i ka ardhur drejtpërdrejt, por përmes personave të tjerë. "E kjo është arsyeja që ai po pretendon edhe përmes njerëzve, më ka çuar njerëz domethënë edhe më ka thënë që të hënën, nuk kemi me të lënë në jetë për me ardhur në komunë", tha Thaçi.
Kryetari thotë se e lajmëroi menjëherë Policinë e Kosovës dhe se rastin e kanë marrë në trajtim njësitë për krime të rënda. Megjithatë, sipas tij, prokurori i rastit nuk ka urdhëruar arrestim. "Rastin menjëherë e kam lajmëruar në polici e kanë marrë krimet e rënda. Janë marrë krimet e rënda me këtë punë, mirëpo, prokurori i rastit, Paulin Pashku, ka vendosur, që për derisa nuk ka veprime, nuk mundet edhe me u arrestuar", deklaroi ai.
Thaçi shkon më tej dhe pretendon se Preniqi ka lidhje të ngushta me prokurorin e rastit, gjë që, sipas tij, ka ngadalësuar marrjen e masave. Ai thotë se ka dëshmitarë për kërcënimin dhe e krahason trajtimin e rastit me arrestimet për postime në rrjete sociale: "Përderisa ne shumë mirë e dimë që njerëzit po arrestohen për një koment në Facebook, po nuk arrestohen pse ai çon njerëz edhe çon edhe kam dëshmitarë që ai më ka kërcënuar".
Kryetari ka ngritur edhe pretendime të tjera ndaj zyrtarit: se ka qenë i përfshirë në disa vepra penale, se para disa vitesh ka pasur një rast plagosjeje dhe se një nip i tij, djali i motrës, është gjyqtar. "Ky është Hajrullah Preniqi, është njëri nga recidivistët e disa veprave penale, ka para tre vjete, dy-tre apo katër vjete që i ka ndodhur një plagosje. Mirëpo ky zotëria e ka, e ka djalin e motrës e ka gjyqtar edhe natyrisht që edhe prokurori bie në ndikim të tij. Pra krejt kjo është një skemë e krimit të organizuar", tha Thaçi. Asnjë nga këto pretendime nuk është vërtetuar nga institucionet e drejtësisë.
Preniqi, i cili foli për agjencinë KosovaPress, i hodhi poshtë të gjitha akuzat. "S’është e vërtetë. Ai mundet me thënë çka do, mund të deklarojë çka do. Mundet ku të dojë me shkua me ato, prej meje s’ka, nuk është i kërcënuar. Ato janë një shantazh i tij", u shpreh ai.
Policia e Kosovës nuk u ishte përgjigjur pyetjeve të medias për rastin deri në publikimin e lajmit. Thaçi thotë se do të vazhdojë rrugën institucionale dhe do të veprojë brenda kompetencave që i jep ligji, ndërsa pretendimet e të dyja palëve mbeten për t'u verifikuar nga institucionet kompetente.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

