Aktakuzat që përfundojnë me lirime ose rrëzohen përfundimisht në gjykatë, sidomos në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, do të analizohen nga një mekanizëm i ri brenda Prokurorisë. Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka krijuar edhe një mekanizëm për mbrojtjen e prokurorëve nga ndikimet dhe sulmet.

Aktakuzat që bien në gjykatë nuk do të mbyllen më thjesht në arkivë. Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka vendosur, në bazë të kompetencave të tij ligjore, të themelojë dy mekanizma brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit: Mekanizmin Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit dhe Mekanizmin e Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit.
I pari ka një detyrë të qartë: të analizojë cilësinë e akteve akuzuese që janë hedhur me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe të atyre që kanë përfunduar me aktgjykime liruese apo refuzuese të formës së prerë në rastet me prioritet, veçanërisht në ato të korrupsionit të nivelit të lartë. Nën shqyrtim do të jenë edhe aktvendimet gjyqësore të formës së prerë lidhur me kërkesat e prokurorive për çështje procedurale. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kjo punë do të bëhet duke respektuar pavarësinë institucionale dhe funksionale të Prokurorit të Shtetit.
Prokurorët që do të angazhohen në këtë mekanizëm, pasi të analizojnë rastet me epilog të formës së prerë, do të hartojnë rekomandime profesionale dhe do t'ia përcjellin ato kryeprokurorit. Ky i fundit, sipas vendimit, ndërmerr veprime për vlerësimin e ligjshmërisë dhe për unifikimin e praktikave institucionale, të cilat, siç thuhet në njoftim, synojnë "ngritjen e cilësisë së punës dhe evitimin e lëshimeve eventuale profesionale nga prokurorët e shtetit në të ardhmen".
Mekanizmi i dytë kthen vëmendjen nga brenda dhe nga jashtë: ai ofron mbrojtje institucionale dhe profesionale për prokurorët e shtetit sa herë që ndaj tyre shfaqen tendenca për ndikime të paligjshme, qofshin të brendshme apo të jashtme, kur cenohet integriteti dhe pavarësia e tyre profesionale, ose kur bëhen shënjestër e sulmeve, linçimeve apo fushatave denigruese për veprimet dhe vendimet e marra gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i paraqet të dy strukturat si zbatim të një premtimi të hershëm të Gashit. "Krijimi i këtyre dy mekanizmave ka qenë një nga prioritetet kryesore të Kryeprokurorit të Shtetit të paraqitura në konceptdokumentin e tij", thuhet në njoftim.
Në të njëjtin vendim, kryeprokurori ka bërë edhe dy caktime. Veton Shabani, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, u caktua Koordinator Nacional për Zgjedhje, ndërsa kolegu i tij në të njëjtën zyrë, Ersan Qavolli, do të jetë Koordinator Nacional për rastet e Dhunës në Familje.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

