Kosovës i kanë mbetur më pak se tre muaj për të përmbushur reformat e Planit të Rritjes së BE-së. Njohësit e politikës paralajmërojnë se vonesat e shkaktuara nga kriza politike mund të përkthehen në humbje mbi 100 milionë euro.

Ora po ecën kundër Kosovës. Më pak se tre muaj kanë mbetur për të përmbyllur reformat që kërkon Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, dhe nëse afati nuk respektohet, vendi rrezikon të humbasë mbi 100 milionë euro.
Tani që presidentja e re është zgjedhur dhe të gjitha institucionet janë funksionalizuar, pritshmëria është që Kuvendi dhe Qeveria t'i kthejnë vëmendjen pikërisht kësaj agjende. Njohësit e fushës thonë se kriza politike dhe mungesa e institucioneve kanë sjellë ngecje dhe shprehen skeptikë nëse Kosova do t'i përfitojë fondet.
Besar Gërgi, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, e mat dëmin në para: "Këtu kemi të bëjmë me 27 hapa reformues dhe ato vlejnë në total diku 166 milionë euro. Një pjesë e reformave janë përfunduar, por pasi ka pasur kriza politike, shumë ligje nuk kanë kaluar, andaj kriza politike na ka kushtuar financiarisht me humbje nga agjenda e reformave".
Njohësi i politikës Ardian Zeqiri e sheh zgjidhjen te zgjatja e afatit të dhjetorit. "Pakoja e ligjeve nuk është e finalizuar. Ky është proces i cili nuk shkon shpejt. Është një procedurë që e kërkon kohën e vet dhe Kosova është mbrapa. Nëse nuk rinegociohet afati i dhjetorit, rreziku është që të humbasin mjetet", tha ai.
Një hap është bërë këtë javë: deputetët e Kosovës miratuan disa nga ligjet që janë parakusht për fondet e BE-së. Megjithatë, sipas njohësve të fushës, institucionet duhet të punojnë intensivisht dhe të përcaktojnë qartë prioritetet, nëse duan që agjenda e reformave të zbatohet në kohë.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

