Me dyer të mbyllura dhe me një pikë të vetme në rend dite, Këshilli Prokurorial i Kosovës ulet sot për performancën e kryeprokurorit të Speciales, Blerim Isufaj. Instituti i Kosovës për Drejtësi kujton një shkarkim që Gjykata Supreme e rrëzoi si të kundërligjshëm.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thirrur për sot, 2 tetor, në orën 15:00, një mbledhje urgjente ku në qendër pritet të jetë performanca e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj.
Mbledhja pritet të zhvillohet me dyer të mbyllura për publikun. Rendi i ditës nuk është bërë publik zyrtarisht, por raportohet se ai përmban vetëm një pikë: diskutimin lidhur me performancën e kryeprokurorit të Speciales. Thirrja e jashtëzakonshme është cilësuar në media si presion i drejtpërdrejtë ndaj Isufajt.
Takimi vjen vetëm një ditë pas mbledhjes së rregullt të Këshillit më 1 tetor, ku një raport i KPK-së e rendiste Prokurorinë Speciale ndër prokuroritë me efikasitetin më të dobët në sistem dhe ku anëtarët e Këshillit u përplasën ashpër për këtë çështje.
Urgjenca e mbledhjes ka shqetësuar Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili i ka kërkuar KPK-së të mos ndërmarrë veprime që mund të cenojnë funksionalitetin e Prokurorisë Speciale. "IKD thekson qartë se llogaridhënia nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si arsyetim për vendimmarrje me procedura të shpejta dhe të paqarta ndaj një kryeprokurori", thuhet në reagimin e institutit.
Sipas IKD-së, çështja kërkon kujdes të veçantë për shkak të mandatit të PSRK-së, e cila trajton rastet e krimit të organizuar dhe të krimit transnacional dhe bashkëpunon me shtetet e tjera. Instituti kërkon që çdo proces që mund të prekë pozitën apo mandatin e kryeprokurorit të zhvillohet në pajtim me Kushtetutën, ligjin e aplikueshëm dhe praktikën gjyqësore. Vlerësimi i performancës, sipas IKD-së, duhet të jetë "profesional, i drejtë, i paanshëm, objektiv dhe i bazuar në indikatorë të matshëm", pa cenuar pavarësinë e prokurorëve në trajtimin e rasteve individuale.
IKD i ka rikujtuar Këshillit një precedent të freskët. Në vitin 2025, KPK kishte shkarkuar Besim Kelmendin nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. "Vetë Gjykata Supreme e anuloi këtë vendim si të kundërligjshëm", thuhet në reagim. Instituti kërkon që ky rast të shërbejë si mësim institucional dhe që KPK të shmangë praktikat e vendimmarrjes së ngutshme.
Organizata thotë se nuk e kupton urgjencën e një takimi të tillë pa u përfunduar dhe pa u shterur të gjitha mjetet juridike në dispozicion. Ajo i ka kërkuar KPK-së të garantojë një proces të drejtë dhe të pavarur, pa veprime që do të cenonin sigurinë juridike, funksionalitetin e PSRK-së dhe besimin e publikut te Këshilli dhe te pavarësia e sistemit prokurorial.
Për IKD-në, ekuilibri duhet të vlejë në të dy drejtimet: "Kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të përdoret si instrument apo mënyrë për ndërhyrje në pavarësinë funksionale të një zyre prokuroriale, sikurse pavarësia nuk mund të shfrytëzohet si arsyetim për mungesë të llogaridhënies".
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

