Institucionet e Kosovës janë kthyer në fshatin Kozhle të zonës së Novi Pazarit, ku mbetjet mortore të personave të zhdukur gjatë luftës dyshohen 15 metra nën një deponi mbeturinash. Njëkohësisht, në Hagë po analizohen mostrat e njëzet viktimave të tjera nga varrezat masive të Zubin Potokut.

Pesëmbëdhjetë metra nën një zonë të përdorur si deponi mbeturinash: aty dyshohet se mund të ndodhen mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Vendi quhet Kozhle, në zonën e Novi Pazarit, në Serbi, dhe institucionet kosovare janë kthyer atje për kërkime për të tretin vit radhazi.
Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Kosovës, thotë se puna në terren do të nisë edhe pa të dhëna të sakta për pikën ku mund të jenë varrosur viktimat. "Do të vazhdojnë gërmimet, pa një informacion të saktë për lokacionin. Kjo i bie që ne, si institucion, si delegacion, sigurisht që nuk mund t'i themi jo asnjë gërmimi në territorin e Serbisë, por megjithatë do të jemi shumë të kujdesshëm në kuptim të menaxhimit të pritshmërive", u shpreh ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Deri më tani janë identifikuar tri pika për vlerësim në terren, të përcaktuara edhe mbi bazën e pamjeve satelitore. Por, siç thekson Gara, ato pamje nuk e mbulojnë pikërisht periudhën vendimtare. "Nuk e dimë se si ishte gjendja në prill dhe maj 1999, kur ndodhi zbatimi i urdhrit ose strategjisë zyrtare të Beogradit 'S'ka trup - s'ka krim', kur ndodhi pastaj edhe bartja e kufomave nga lokacioni ose nga vendi i masakrës, ose në lokacione të ndryshme në territorin e Serbisë", tha ai.
Ndërkohë, brenda Kosovës vazhdon një proces tjetër, ai i identifikimit të mbetjeve mortore të nxjerra gjatë verës së këtij viti nga tri varreza masive në fshatrat Kalludër e Vogël dhe Jabukë, në komunën veriore të Zubin Potokut. Pas konfirmimit të tri viktimave të para, Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Salih Mëziut, sipas autoriteteve po punohet për identifikimin e njëzet të tjerave.
Rezultatet për pjesën tjetër të mbetjeve varen tani nga laboratori. "Çështja ka kaluar në pjesën e laboratorit të ADN-së, përkatësisht në Komisionin Ndërkombëtar [për Persona të Zhdukur]", tregon Gara, duke sqaruar se mostrat u dërguan në fillim të shtatorit, pas përfundimit të ekzaminimeve nga ekspertët mjekoligjorë. Analizat kryhen në Hagë të Holandës.
Pritja mund të jetë e gjatë. "Afatet optimale që kemi prezantuar kanë qenë katër deri në gjashtë javë nga dërgimi i mostrave. Megjithatë, përvoja tregon që duhet më shumë kohë", tha Gara. Pas rezultateve të ADN-së, Instituti për Mjekësi Ligjore i Kosovës duhet të mbyllë procedurat e konfirmimit të identitetit dhe dokumentacionin përkatës. "Janë dokumente, disa prej të cilave duhet t'i dorëzohen familjeve, dhe pjesa tjetër pastaj do të dorëzohet te institucionet përkatëse", shpjegoi ai.
Varrezat në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë nuk u zbuluan rastësisht: ato u konfirmuan pas një procesi hetimor disamujor të institucioneve të Kosovës, në të cilin, sipas Garës, ndihmuan hetuesit e Policisë së Kosovës për krime lufte përmes "shqyrtimit të detajuar të të gjitha të dhënave, punës në terren dhe komunikimit me dëshmitarët e mundshëm".
Për kërkimet e ardhshme, Gara e cilëson rajonin e Rashkës në Serbi si një nga zonat me interes. Institucionet e Kosovës po kërkojnë nga Serbia të vërë në dispozicion një listë me 16 varreza masive, e bërë publike në vitin 2001. Deri më sot janë konfirmuar pesë varre masive: Batajnica, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnica dhe Kizhevak, ku janë gjetur më shumë se 950 viktima të luftës në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

