Blerim Skoro, 55-vjeçari nga Kosova që thotë se punoi si informator për FBI-në dhe CIA-n, u ndalua nga migracioni amerikan kur shkoi të rinovonte dokumentet. Ai frikësohet se, po u kthye në Kosovë, do të vritet.

Kishte shkuar bashkë me gruan në një zyrë emigracioni në Elizabeth të New Jerseyt vetëm për të rinovuar dokumentet. Sapo u regjistrua në recepsion, agjentët e ICE-së e morën dhe e futën në një dhomë. Kështu e përshkruan Susan Skoro çastin kur bashkëshorti i saj, Blerim Skoro, 55-vjeçar nga Kosova, u arrestua nga Zyra e Migracionit amerikan (ICE). Sot ai po lufton me disa avokatë kundër dëbimit nga Shtetet e Bashkuara.
Historia që Skoro rrëfen është e pazakontë. Sipas tij, ai erdhi në Amerikë në vitin 1994, pasi ishte larguar nga regjimi i atëhershëm jugosllav, duke treguar se ishte rrahur e torturuar dhe se kishte parë vrasje e përdhunime fëmijësh. Në vitin 2000 u arrestua për trafik droge — por pikërisht në burg, thotë ai, nisi bashkëpunimi i tij me autoritetet amerikane.
Sipas dokumenteve të FBI-së, Skoro u regjistrua si informator dhe dha informacione për persona të dyshuar për terrorizëm. Pas sulmeve të 11 shtatorit, ai pretendon se u kontaktua nga CIA për shkak të lidhjeve që kishte krijuar prapa grilave me terroristë dhe trafikantë. Nga viti 2002 deri më 2006, ndërsa vuante dënimin në një burg federal në Pensilvani, thotë se mblodhi informacione për FBI-në për disa persona që më vonë u dënuan në raste terrorizmi. Në dokumentet e FBI-së të vitit 2004 ai figuron si informator në një hetim të lidhur me Osama bin Ladenin, ku informacionet e tij cilësohen si të besueshme dhe të dobishme, përfshirë të dhëna për një kamp stërvitor në Siri.
Rrëfimi bëhet edhe më i çuditshëm pas kësaj. Skoro pretendon se nga viti 2007 deri më 2009 CIA e dërgoi në misione të fshehta, i infiltruar në rrethe të Al-Kaedës, duke udhëtuar nëpër Siri, Liban, Jordani, Pakistan, Egjipt dhe Kosovë. Sipas tij, puna e tij ndihmoi në arrestimin e pjesëtarëve të Al-Kaedës, të grupit somalez Al-Shabaab dhe të Hezbollahut. Një prej rasteve, thotë ai, ishte ai i Betim Kaziut — i dënuar me 27 vjet burg pasi tentoi të siguronte armë për Al-Shabaab-in për të sulmuar trupat amerikane jashtë vendit. Skoro thotë se ishte ai që u dha autoriteteve vendndodhjen e Kaziut në Kosovë, çka çoi në arrestimin e tij në vitin 2009. Ai pretendon gjithashtu se ndihmoi në kapjen e dërgesave të uraniumit në Kosovë, duke parandaluar një komplot të mundshëm me "bombë të ndyrë".
Por, sipas Skoros, ai nuk mori kurrë atë që priste. Besonte se do të përfitonte një dënim më të lehtë për bashkëpunimin, mirëpo në vitin 2007 u deportua në Kosovë. Aty, thotë ai, CIA i kishte kërkuar të vazhdonte punën e fshehtë nga Ballkani. Gjatë asaj periudhe pretendon se u qëllua në këmbë në një atentat në Kosovë dhe më vonë u kthye në SHBA përmes Kanadasë në vitin 2014. Dy vjet më pas, në 2016, u arrestua sërish nga autoritetet amerikane pasi NYPD-ja e kishte kapur duke përdorur kartën e zbritjes së transportit publik të vajzës së tij — çka nisi një tjetër betejë të gjatë për statusin e tij.
Në vitin 2022, një gjykatës federal vendosi se Skoro nuk mund të deportohej në Kosovë, pasi ekzistonte rreziku që atje të torturohej ose të vritej. Vendimi u mbështet në Konventën Kundër Torturës, por nuk i dha status të përhershëm qëndrimi në SHBA. Ndërkohë ai vazhdoi jetën në Amerikë: i martuar, me fëmijë amerikanë, duke punuar si shofer taksie në Staten Island.
Tani avokatët e tij kanë dorëzuar një kërkesë në gjykatën federale për ta ndaluar deportimin. Ata argumentojnë se, pasi gjykata ia kishte pezulluar dëbimin në vitin 2022, ICE nuk mund ta dëbojë pa marrë më parë leje nga gjykata. Avokati i tij, Joshua Dratel, thotë se Skoro gjatë dekadës së fundit ka bërë një jetë normale dhe të ligjshme me familjen.
Vetë Skoro nuk e fsheh zhgënjimin. "Nuk e mendova kurrë se do të më tradhtonin në këtë mënyrë", tha ai nga qendra e paraburgimit të ICE-së në Elizabeth. Frika e tij, thotë, është e thjeshtë: nëse kthehet në Kosovë, mund të vritet.
Vendimi tani i takon gjykatës. Gjykatësi federal Robert Kirsch i ka kërkuar qeverisë të japë përgjigje për rastin deri të enjten.
Gurë kalldrëmi të shkulur nga Parku Rinia, gaz lotsjellës dhe mbi 100 të arrestuar: protestat kundër qeverisë në Shqipëri hynë në ditën e shtatë pa asnjë shenjë qetësimi. Kryeministri Rama i quan pjesë të një sulmi të koordinuar, ndërsa protestuesit fajësojnë policinë për dhunën.

