Identitete dhe fjalëkalime të mijëra personave shiteshin si mall në një treg të fshehtë në internet. Ardit Kutleshi, 28 vjeç nga Kosova, ka pranuar para drejtësisë amerikane se e krijoi dhe e drejtoi atë.

Një 28-vjeçar nga Kosova ka pranuar para një gjykate federale amerikane se ka krijuar dhe drejtuar Rydox, një treg të paligjshëm në internet ku kriminelët kibernetikë blinin, shisnin e këmbenin të dhëna personale të vjedhura. Ardit Kutleshi e pranoi fajësinë në Gjykatën e Qarkut Perëndimor të Pensilvanisë për vjedhje të rëndë të identitetit dhe komplot për pastrim parash, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Rydox nuk ishte vetëm një vend ku qarkullonin të dhëna të vjedhura. Sipas autoriteteve amerikane, përdoruesit e tij gjenin aty edhe pajisje dhe mjete të tjera për sulme kibernetike e mashtrime. Platforma, thonë ato, kishte funksionuar të paktën që nga viti 2016 dhe kishte kryer mbi 7.600 transaksione me informacione personale të vjedhura, pajisje qasjeje, dokumente identifikimi dhe shërbime për krime kibernetike. Dokumentet gjyqësore i vlerësojnë të ardhurat e gjeneruara në të paktën 232 mijë dollarë.
“Pranimi i fajësisë nga Ardit Kutleshi për operimin e Rydox-it vë në pah skemën e sofistikuar për përfitim nga identitetet e vjedhura dhe mjetet kibernetike”, deklaroi ndihmësprokurori i Përgjithshëm A. Tysen Duva, nga Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë. Sipas tij, rasti i dërgon një mesazh të qartë të gjithë “kriminelëve kibernetikë”: se Departamenti i Drejtësisë “do t’i identifikojë, arrestojë dhe ndjekë penalisht ata pavarësisht se në cilën pjesë të botës gjenden, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, ekspertizës teknike dhe teknologjisë së avancuar për zbatimin e ligjit”.
Në qendër të skemës, sipas akuzës amerikane, nuk ishte vetëm Arditi. Prokurori amerikan për Qarkun Perëndimor të Pensilvanisë, Rivetti (emri i të cilit është dhënë njëherë si Tory dhe njëherë si Troy), tha se ai dhe vëllai i tij, Jetmir Kutleshi, e kishin drejtuar faqen për përfitime personale, duke arkëtuar “qindra mijëra dollarë nga tregu ku kriminelët kibernetikë mund të blinin informacione dhe mjete për të kryer krimet e tyre online”. Dëmi, sipas prokurorit, nuk ishte vetëm financiar: viktimat kanë përjetuar edhe trauma psikologjike, sepse krahas parave kanë humbur edhe “besimin në institucionet dhe infrastrukturën e tregjeve online”.
FBI-ja e përshkruan shtrirjen e dëmit me një fjali. “Rydox u shiti kriminelëve mjete dhe të dhëna të ndjeshme, përfshirë identitete të vjedhura dhe fjalëkalime të mijëra personave”, tha Brett Leatherman, ndihmësdrejtor i divizionit kibernetik të Byrosë Federale të Hetimit. Ai shtoi se FBI-ja dhe partnerët e saj të huaj e kanë mbyllur tregun. Domeni i faqes u konfiskua nga SHBA-ja në dhjetor të vitit 2024.
Po atë muaj, me kërkesë të Uashingtonit, autoritetet e Kosovës arrestuan të dy vëllezërit. Në prill të vitit 2025 ata u ekstraduan në Shtetet e Bashkuara. Jetmiri e pranoi fajësinë dhe u dënua në dhjetor të vitit 2025, pas së cilës u kthye në Kosovë.
Tani radhën e ka Arditi. Për vjedhjen e rëndë të identitetit ai përballet me një dënim minimal të detyrueshëm prej dy vjetësh burgim, ndërsa për komplotin për pastrim parash dënimi maksimal arrin deri në 20 vjet. Masën e dënimit do ta caktojë një gjykatës federal i Qarkut Perëndimor të Pensilvanisë, në seancën e parashikuar për më 9 shkurt 2027.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

