Komandanti i FSK-së i ka dërguar SHBA-së kërkesë për të diskutuar blerjen e helikopterëve, tha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Sipas tij, mbrojtja e hapësirës ajrore të Kosovës është prioriteti i radhës, ndërsa viti 2028 shihet si afati për një forcë të gatshme të mbrojë territorin.

Pas dronëve, sistemeve antitank dhe artilerisë mobile, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) po kërkon helikopterë. Komandanti i FSK-së u ka drejtuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkesën për të diskutuar blerjen e tyre, tha ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një intervistë për Ekonomia Online.
Blerja nuk kalon përmes një tenderi të zakonshëm. Sipas Maqedoncit, ajo zhvillohet në kuadër të programit amerikan FMS, ku Kosova vetëm e paraqet kërkesën, ndërsa pjesën tjetër e merr përsipër pala amerikane. "Kjo blerje bëhet duke aplikuar programin FMS, që nënkupton ne dërgojmë kërkesën në Departamentin e Luftës, të gjitha procedurat e negocimit, prokurimit, edhe procedurat e tjera për blerje zhvillohen nga Departamenti Amerikan i Luftës", tha ai.
Helikopterët, sipas ministrit, janë pjesë e mbështetjes ajrore, por fokusi më i gjerë është mbrojtja e qiellit të Kosovës. "Fokusi ynë në vazhdim do të jetë mbrojtja ajrore, pra mbrojtja nga sulmet eventuale ajrore, mbrojtja e hapësirës ajrore të Kosovës, dhe për këtë çështje jemi duke koordinuar dhe bashkëpunuar me partnerët tanë amerikanë", deklaroi Maqedonci.
Në të njëjtën intervistë, ministri foli edhe për kërcënimet që, sipas tij, Serbia paraqet për sigurinë e Kosovës dhe të rajonit.
Maqedonci bëri një inventar të armatimit të blerë, sidomos gjatë tre-katër viteve të fundit. FSK-ja ka aktualisht tri lloje dronësh, ndërsa në arsenal ka edhe sisteme antitank, mortaja dhe automjete të llojeve të ndryshme. "I kemi aktualisht katër lloje të sistemeve antitank, lloje të mortajave të ndryshme, për qitje në distancë të ndryshme, lloje të automjeteve të ndryshme, kemi prokuruar edhe sisteme të artilerisë mobile", tha ai, duke shtuar se një pjesë e këtyre blerjeve është bërë publike ose është parë gjatë ushtrimeve.
Ndryshimet nuk kanë prekur vetëm armatimin. Sipas ministrit, FSK-ja ka dy njësi të reja, njësinë për operacione speciale dhe njësinë për fluturake pa pilot, të cilat ai i cilëson tashmë shumë operacionale. Asnjëra prej tyre nuk ishte parashikuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, por u krijuan pas analizës së situatës aktuale dhe të nevojave të Kosovës për mbrojtje.
Vetë plani, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2018, sipas Maqedoncit mbështetet në një analizë të vitit 2014, "kur rreziqet dhe kërcënimet kanë qenë të tjera". Ministri tha se plani përmban shumë elemente të klasifikuara që nuk mund të bëhen publike. Ai ia atribuoi shumëfishimin e llojeve dhe të sasive të armatimit mbështetjes së vazhdueshme të kryeministrit dhe të qeverisë, duke këmbëngulur se qëllimi nuk ishte grumbullimi i armëve: "Dhe kjo është bërë jo thjesht për të mbushur depot me armatime dhe municione, por për të mbushur nevojën e Kosovës që ka për mbrojtje."
Për personelin, Maqedonci tha: "dy vite më herët jemi duke e mbushur Forcën e Sigurisë së Kosovës me personelin e nevojshëm". Njëkohësisht, sipas tij, po punohet për regrutimin e rezervës aktive.
Afati që ministri vendos për gatishmërinë është viti 2028. "Unë vlerësoj që viti 2028 do të na gjejë me një forcë të sigurisë së Kosovës të përgatitur edhe të gatshme për të mbrojtur territorin", tha ai, duke shtuar se "zhvillimi i ushtrisë nuk përfundon në vitin 2028".
Përtej FSK-së, qeveria e Kosovës ka miratuar programin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse. Sipas Maqedoncit, modeli parashikon një ushtri profesionale, FSK-në, me të gjitha kapacitetet e nevojshme ushtarake, krahas një rezerve vullnetare nga shoqëria civile dhe angazhimit të institucioneve, ku edhe qytetarët do të kenë mundësi të trajnohen dhe të kenë rolin e tyre brenda sistemit mbrojtës.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

