Katër ditë përpara se Dhomat e Specializuara në Hagë të shpallin aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së, në Prishtinë do të mbahet një marsh protestues nën moton "Kosova pret".

Prishtina po përgatitet për një marsh protestues më 12 shtator, nën moton "Kosova pret", vetëm katër ditë përpara se Dhomat e Specializuara në Hagë të shpallin aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se më 16 shtator do të japin vendimin në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të akuzuar për krime lufte gjatë luftës në Kosovë të viteve 1998-1999.
Detajet e mobilizimit u paraqitën në një konferencë për media nga platforma "Liria ka emër", e cila njoftoi se nga nesër nis numërimi mbrapsht drejt 16 shtatorit dhe të ashtuquajturat "Netët e Lirisë".
"Aksioni i parë nis nesër në orën 10:00 në Prishtinë. Do të vendosim një numërim mbrapsht që do të masë kohën deri më 16 shtator në orën 10:00, kur pritet seanca e fundit me të cilën do të përmbyllet procesi në Hagë", tha Eliza Hoxha nga platforma "Liria ka emër", duke shtuar se e njëjta gjë do të bëhet në të gjitha komunat e Kosovës.
"Çdo orë që kalon do të na kujtojë se Kosova pret. Pret drejtësinë. Pret dinjitetin. Pret që çlirimtarët të kthehen në shtëpitë e tyre", u shpreh Hoxha.
Sipas saj, aksioni i dytë, "Netët e Lirisë", do të zhvillohet në shtatë zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. "Aksioni ynë i dytë, 'Netët e Lirisë', do të jetë në shtatë zonat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 'Netët e Lirisë' do të jenë net kujtese, rrëfimi dhe lidhjeje të brezave përmes rrugës së vështirë dhe sakrificave të bëra për liri", njoftoi ajo.
Hoxha vlerësoi se gjatë gjashtë vitesh "të gjitha aktakuzat e Prokurorisë ishin të pambajtshme dhe u rrëzuan njëra pas tjetrës". "Por 16 shtatori duhet të jetë fundi i kësaj sage të errët. Dhe ne do të vazhdojmë të jemi pranë tyre (të akuzuarve). Pa paragjykuar vendimin e Gjykatës dhe pa u përzier në procesin gjyqësor, por duke bërë që zëri qytetar për drejtësi, dinjitet, kujtesë dhe respekt për historinë tonë të dëgjohet", tha ajo.
Ismail Tashola nga e njëjta platformë ftoi tërë spektrin politik të Kosovës t'i bashkohet marshit. "Ftojmë të gjitha partitë politike shqiptare dhe liderët e katër partive më të mëdha në vend, (Albin) Kurtin, (Bedri) Hamzën, (Lumir) Abdixhikun dhe (Ardian) Gjinin, të jenë pjesë e 'Marshit për Liri'. Kjo ftesë u drejtohet të gjithëve, pa përjashtim. I ftojmë të jenë të pranishëm dhe t'i drejtohen publikisht 'Marshit për Liri'. Jo për të bërë fushatë. Jo për të ngritur flamuj partiakë. Por për Kosovën, për lirinë, për të ardhmen", tha ai.
Tashola njoftoi gjithashtu se më 16 shtator platforma do të organizojë një aksion edhe në Hagë, së bashku me diasporën shqiptare.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

