Siguria në Kosovë ka mbetur stabile, por bllokada institucionale vazhdon dhe Marrëveshja e Brukselit ecën me hapa të vegjël. Kjo është pasqyra që Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të shqyrtojë të martën në mbrëmje.

Kosova rikthehet të martën në tryezën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në orën 21:00 të 20 tetorit, anëtarët e Këshillit pritet të mblidhen për të shqyrtuar raportin gjashtëmujor të Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), i cili mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator të këtij viti.
Pasqyra që sjell dokumenti ka dy anë. Sipas raportit, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë ka mbetur stabile. Në të njëjtën kohë, raporti thekson se bllokada institucionale ka vazhduar, ndërsa përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ka mbetur i kufizuar.
Një pjesë e veçantë i kushtohet drejtësisë. Raporti trajton arrestimin e disa personave serbë të dyshuar për krime lufte, si dhe dënimin e tre personave për sulmin terrorist në Banjskë.
Në listën e zhvillimeve të gjashtë muajve hyn edhe mbyllja e institucioneve paralele serbe, të cilat, sipas raportit, kanë funksionuar ilegalisht në Kosovë.
Edhe në terren, dokumenti regjistron ndryshime. Ai përmend njoftimin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) për tërheqjen graduale të pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër, si dhe përfshirjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në masat e sigurisë pranë Manastirit të Deçanit.
Hera e fundit që Këshilli i Sigurimit shqyrtoi raportin për Kosovën ishte më 9 prill. Seanca e së martës pritet të shërbejë si rast për të vlerësuar zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë gjatë periudhës që mbulon raporti.
Kryetari i Prishtinës hap publikisht derën për garën për krye të LDK-së: thotë se ka biseduar me Lumir Abdixhikun dhe beson se do të kandidojë, edhe pse vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.

