Qeveria e Kosovës ka hapur një dritare të përkohshme brenda regjimit të sanksioneve ndaj Rusisë: kontratat ekzistuese mund të përmbyllen dhe komponentët kritikë industrialë mund të sigurohen deri në kalimin te furnitorë alternativë. Ndryshimi ndjek vendimin e Këshillit të BE-së.

Kontratat që janë ende në fuqi do të mund të përmbyllen, ndërsa komponentët kritikë industrialë do të mund të sigurohen derisa të gjenden burime alternative furnizimi. Këto janë përjashtimet e përkohshme që Qeveria e Kosovës ka futur në regjimin e saj të sanksioneve ndaj Rusisë, pasi miratoi ndryshimet dhe plotësimet e vendimit të vitit 2022.
Atë vit, kur nisi agresioni rus në Ukrainë, Kosova vendosi të zbatojë vendimin e Këshillit të Bashkimit Europian për sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë. Ndryshimi i ri, i propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, e përshtat atë vendim me zhvillimet në politikën evropiane të masave kufizuese.
Pikën para kabinetit qeveritar e paraqiti ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, i cili shpjegoi përmbajtjen e vendimit dhe përjashtimet që ai parashikon. "Qëllimi është linjëzimi i vazhdueshëm i politikës së jashtme të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Europian", tha Konjufca.
Në të njëjtën frymë foli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha në mbledhjen e Qeverisë se vendimi merret për t'u linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.
Sipas Konjufcës, miratimi i ndryshimeve konfirmon "përkushtimin tonë për promovimin e paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe garanton vazhdimësinë e bashkëpunimit të ngushtë me BE-në për ruajtjen e plotë të zbatueshmërisë së ligjeve dhe konventave europiane e ndërkombëtare në Republikën e Kosovës". Ministri theksoi gjithashtu se vendimi mbështetet në bazën kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

