Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka bllokuar për një muaj importin e koncentrateve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça me origjinë nga Serbia, pasi tejkalimi i nivelit të lejuar të aflatoksinës B1 u konfirmua në një produkt të hyrë në tregun e Kosovës.

Kosova ka ndërprerë për 30 ditë hyrjen e koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça të prodhuara në Serbi. Vendimin e ka marrë ministri i Bujqësisë, Armend Muja, pas konfirmimit se niveli maksimal i lejuar i Aflatoksinës B1 (AFB1) është tejkaluar në koncentratin për lopë qumështore "SELECT MILK GR", produkt i kompanisë "DE HEUS D.O.O.".
"Njëkohësisht, kam vendosur masë të përkohshme parandaluese për 30 ditë ndaj importit të koncentrateve dhe përzierjeve me bazë misri për lopë qumështore dhe viça, të kodit tarifor 2309909600, me origjinë ose të prodhuara në Republikën e Serbisë", ka shkruar Muja.
Paralelisht me ndalesën, Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar tërheqjen e produktit të importuar nga Serbia, izolimin e sasive që kanë mbetur pa u shitur dhe gjurmimin e rrugës së shpërndarjes së tij. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) është obliguar të kryejë një vlerësim të dokumentuar të rrezikut, dhe mbi bazën e tij do të përcaktohen masat e mëtejshme.
Muja ka bërë të ditur po ashtu se kontrollet për Aflatoksinën B1 në misër dhe në produktet me bazë misri të destinuara për ushqim të kafshëve janë intensifikuar. "Qëllimi është identifikimi i rrezikut në burim, parandalimi i hyrjes së produkteve jokonforme në zinxhirin ushqimor dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve", ka theksuar ministri.
Masa vjen pak ditë pas një vendimi tjetër që godet importet bujqësore nga Serbia. Javën e kaluar, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, vendosi një detyrim të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia. Kusari-Lila kishte thënë se vendimi ishte marrë pas hetimit të zhvilluar dhe dëshmive paraprake për import me çmime damping dhe dëmtim të prodhuesve vendorë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

