Vigan Berisha njoftoi se Këshilli Federal i Konfederatës Zvicerane i ka lëshuar Ekzekuaturën, akti që e njeh zyrtarisht si Konsull të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Cyrih, i pari në këtë pozitë.

Kosova ka tani një konsull të përgjithshëm në Cyrih. Vigan Berisha ka njoftuar se ka pranuar Ekzekuaturën nga Këshilli Federal i Konfederatës Zvicerane, aktin me të cilin shteti pritës e njeh zyrtarisht një zyrtar konsullor të huaj, dhe i mundëson ushtrimin e detyrës.
"Kam nderin t'ju njoftoj se kam pranuar Ekzekuaturën nga Këshilli Federal i Konfederatës Zvicerane, përmes së cilës njihem zyrtarisht si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih", ka shkruar Berisha.
Sipas tij, me këtë akt ai bëhet Konsulli i parë i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Cyrih, moment që e ka cilësuar të rëndësishëm për përfaqësimin e Kosovës në Zvicër. Berisha ka falënderuar institucionet e Kosovës për besimin e dhënë dhe për mundësinë për ta ushtruar këtë detyrë.
Angazhimin e tij e ka përshkruar të fokusuar në shërbim të Republikës së Kosovës, në forcimin e bashkëpunimit me bashkatdhetarët në Zvicër dhe në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane.
"Me besimin në Zot, këtë përgjegjësi e pranoj me përkushtim të plotë, duke synuar të vazhdoj punën në shërbim të vendit, të ofroj edhe më shumë misionin që drejtoj me bashkatdhetarët, si dhe të jap kontributin tim në marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane", ka deklaruar ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

