Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka pranuar konfirmimin për përfshirje në mekanizmin e avancuar EUREP të Eurosistemit, duke kaluar nga një linjë e kufizuar prej 100 milionë eurosh drejt një kornize të përhershme likuiditeti në euro.

Kosova fiton një rrjet sigurie financiare me adresë në Frankfurt. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka pranuar konfirmimin për përfshirjen e saj në mekanizmin e avancuar të Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore, i njohur si Eurosystem Repo Facility for Central Banks (EUREP), të themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Deri tani, BQK ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2027. Përfshirja në EUREP shënon kalimin nga kjo marrëveshje e kufizuar në shumë dhe në kohë drejt një kornize të përhershme të Eurosistemit, përmes së cilës bankat qendrore jashtë zonës së euros mund të sigurojnë likuiditet mbështetës në euro.
Mekanizmi funksionon mbi bazën e kolateralit: bankat qendrore të pranueshme marrin likuiditet në euro kundrejt kolateralit cilësor të denominuar në euro. Sipas BQK-së, kapaciteti maksimal i një linje individuale brenda kësaj kornize mund të arrijë deri në 50 miliardë euro, në varësi të kërkesave të zbatueshme dhe aranzhimeve operacionale të Eurosistemit. Sa do të jetë shuma konkrete për Kosovën, nuk është përcaktuar. "Shuma e disponueshme në kuadër të kësaj marrëveshjeje do të përcaktohet në përputhje me nevojat e vlerësuara, kërkesat e zbatueshme dhe kolateralin e pranueshëm, brenda limitit të përgjithshëm të përcaktuar nga BQE", ka bërë të ditur banka qendrore.
Në njoftimin e BQK-së theksohet se bëhet fjalë për një përforcim strukturor të mbrojtjes financiare të vendit. "Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e mëtejshëm të kornizës së BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e likuiditetit në euro. Ai shton një shtresë të re qëndrueshmërie për sistemin financiar të Republikës së Kosovës", thuhet në njoftim.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka mirëpritur përfshirjen në mekanizëm dhe ka shprehur mirënjohjen e institucionit ndaj Bankës Qendrore Evropiane për mbështetjen, besimin dhe bashkëpunimin. "Ky është një avancim i rëndësishëm për rrjetin e sigurisë financiare të Republikës së Kosovës. Qasja në kornizën e avancuar EUREP forcon ndjeshëm instrumentet që BQK ka në dispozicion për ruajtjen e likuiditetit dhe stabilitetit financiar", ka deklaruar Ismaili.
Sipas guvernatorit, mekanizmi vjen si mbrojtje shtesë krahas gjendjes aktuale të sektorit bankar. "Së bashku me pozitën e fortë të kapitalit dhe likuiditetit të sektorit tonë bankar, rezervat dhe mekanizmat ekzistues të stabilitetit, kjo ofron një shtresë shtesë dhe kredibile të mbrojtjes ndaj goditjeve potenciale të jashtme dhe financiare", ka theksuar ai.
Ismaili i është drejtuar edhe drejtpërdrejt publikut dhe biznesit: "Mesazhi për qytetarët, bizneset dhe institucionet financiare është i qartë: sistemi financiar i Kosovës është i qëndrueshëm, likuid, i mirëkapitalizuar dhe i qëndrueshëm, ndërsa mekanizmat që e mbështesin dhe e mbrojnë atë po fuqizohen vazhdimisht". Ai ka shtuar: "Objektivi ynë, krahas ruajtjes së stabilitetit financiar, është edhe ndërtimi i kapaciteteve dhe masave mbrojtëse të nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë e tij edhe në skenarë të pafavorshëm".
Për Kosovën, si ekonomi që përdor euron pa qenë pjesë e zonës së euros, qasja në një instrument të Eurosistemit konsiderohet veçanërisht e rëndësishme, pasi plotëson arkitekturën ekzistuese të stabilitetit financiar dhe forcon kapacitetin e bankës qendrore për t'iu përgjigjur nevojave të mundshme për likuiditet dhe goditjeve të jashtme.
EUREP është mekanizëm i përhershëm i Eurosistemit për likuiditet të përkohshëm në euro për bankat qendrore të pranueshme jashtë zonës së euros. Koordinohet nga BQE dhe operacionalizohet përmes pesë bankave qendrore kombëtare të Eurosistemit, ndër të cilat Deutsche Bundesbank, banka qendrore e Gjermanisë. Në bashkëpunim me Bundesbankën, BQK do t'i vazhdojë në ditët në vijim përgatitjet teknike dhe operacionale për operacionalizimin e plotë të mekanizmit.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

