Tri marrëveshje financiare me Bashkimin Evropian marrin dritën jeshile të Qeverisë: dy prej tyre shpëtojnë nga afatet 77.9 milionë euro që ende nuk janë shfrytëzuar, e treta nis një paketë prej gati 194 milionë eurosh për vitet 2026-2027.

Mbi 77 milionë euro fonde evropiane që Kosova ende nuk i ka shndërruar në projekte fitojnë kohë shtesë, ndërsa një paketë e re prej 193 milionë e 856 mijë eurosh merr rrugën drejt zbatimit. Qeveria e Kosovës miratoi në mbledhjen e saj projektligjet për ratifikimin e tri marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian (BE) për programet IPA 2021, IPA 2022 dhe Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Dy nga dokumentet janë amendamente. Me Amendamentin Nr. 1 të marrëveshjes për programin IPA 2021 zgjatet periudha e zbatimit, çka lejon vijimin e procedurave për 22.2 milionë euro. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e paraqiti ndryshimin si garanci që paratë të mos humbasin: "Amendamenti i marrëveshjes financiare për programin IPA 2021 krijon kushte më të përshtatshme për realizimin e projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Zgjatja e periudhës së zbatimit e mundëson vijimin e procedurave për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 22.2 milionë eurosh. Me ratifikimin e këtij amendamenti krijojmë bazën e nevojshme që kjo mbështetje financiare të shfrytëzohet për qëllimet e përcaktuara dhe të sjellë përfitime konkrete për qytetarët".
Më e madhe është shuma që prek amendamenti i dytë, ai për programin IPA 2022: 55.7 milionë euro mbështetje nga BE-ja, për të cilat po ashtu shtyhen afatet. Sipas Kurtit, koha shtesë u shërben institucioneve për të mbyllur procedurat. "Me amendamentin për programin IPA 2022 krijojmë kushtet për kontraktimin dhe shfrytëzimin e fondeve në vlerë prej 55.7 milionë eurosh të mbështetjes së Bashkimit Evropian. Zgjatja e afateve u mundëson institucioneve të përmbushin procedurat e nevojshme dhe të vijojnë me realizimin e projekteve të planifikuara, me synim që të njëjtat të shfrytëzohen plotësisht dhe të kthehen në investime që u shërbejnë nevojave të vendit dhe qytetarëve", tha ai.
Paketa e tretë nuk është zgjatje, por financim i ri. Programi Shumëvjeçar IPA 2026-2027 parasheh projekte me vlerë të përgjithshme prej 193 milionë e 856 mijë eurosh, të ndara mes disa financuesve: rreth 180.5 milionë euro nga BE-ja, 9 milionë euro bashkëfinancim nga Qeveria, 1.8 milionë euro nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe 2.5 milionë euro nga partnerët e tjerë zhvillimorë.
Kurti theksoi se ratifikimi është kushti për të nisur punën, por ngarkoi me përgjegjësi edhe administratën: "Ratifikimi i marrëveshjes financiare i hap rrugë fillimit të zbatimit të programit. Institucionet përgjegjëse duhet të përqendrohen në përgatitjen dhe realizimin e projekteve që ky financim të shfrytëzohet plotësisht sipas prioriteteve të përcaktuara".
Të marra së bashku, tri marrëveshjet mbulojnë rreth 271.8 milionë euro projekte. Pjesa më e madhe vjen nga Brukseli, ndërsa pjesa tjetër është kontribut i Qeverisë, i Fondit për Efiçiencë të Energjisë dhe i donatorëve të tjerë.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

