Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, hapi debatin në Parlamentin Europian për varrimin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, duke thënë se glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit nuk kanë vend në Bashkimin Europian.

Ministra, zyrtarë dhe përfaqësues të ushtrisë serbe, bashkë me liderë e politikanë të Republikës Srpska, duke nderuar një kriminel lufte: pikërisht këto pamje u bënë pikënisja e fjalës me të cilën komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, hapi në Parlamentin Europian debatin për varrimin e Ratko Mlladiqit dhe glorifikimin e krimeve të luftës në Serbi.
"Pamjet nga varrimi i Ratko Mlladiqit ishin jashtëzakonisht shqetësuese. Ato tregojnë dështimin për t'u përballur me të kaluarën dhe bien ndesh me vlerat që qëndrojnë në themel të integrimit europian. Veçanërisht shqetësuese ishte të shihje ministra, zyrtarë dhe përfaqësues të ushtrisë serbe, së bashku me liderë dhe politikanë të Republikës Srpska, duke marrë pjesë në varrim dhe duke nderuar një kriminel lufte. Komisioni Europian u bën thirrje autoriteteve serbe dhe të gjithë aktorëve në rajon që të kontribuojnë në pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore", deklaroi Kos.
Komisionerja tha se ngjarjet e javës së kaluar i rikujtuan sa e vështirë është përballja me një nga kapitujt më të errët të historisë së afërt europiane dhe vuajtjet e mëdha të shkaktuara nga luftërat në ish-Jugosllavi. Duke aplikuar për anëtarësim në BE, theksoi ajo, Serbia është zotuar të respektojë vlerat dhe parimet europiane, ndërsa Komisioni Europian e ka bërë të qartë se glorifikimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit janë të papajtueshme me këto vlera dhe se për ato nuk ka vend në Bashkimin Europian.
Kos u kthye edhe te vizita e saj e vitit të kaluar në Srebrenicë, duke thënë se është e pakuptueshme që dikush përgjegjës për krime të tilla të glorifikohet si hero.
"BE-ja është në solidaritet me të gjitha viktimat e krimeve të luftës, të mbijetuarit dhe familjet e tyre. Stabiliteti dhe përparimi në Ballkanin Perëndimor janë në interesin strategjik të Europës. Serbia ka një rol qendror dhe përgjegjësi në këtë drejtim", tha komisionerja.
Në të njëjtën kohë, ajo bëri një dallim të prerë midis ceremonisë dhe shoqërisë serbe në tërësi. "Shumë qytetarë nga Serbia dhe rajoni më kanë shkruar, duke e kundërshtuar glorifikimin e kriminelëve të luftës. Prandaj e di se Serbia është më shumë se kaq. Serbia janë qytetarët e saj, të rinjtë, sipërmarrësit, nëpunësit, artistët dhe gazetarët që duan që vendi i tyre të ecë përpara, që duan të jetojnë në një Serbi të lirë, demokratike dhe europiane. Ajo Serbi meriton të dëgjohet dhe meriton mbështetje dhe për të ka vend në Europë", u shpreh ajo.
Sipas Kos, dinjiteti i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës nuk mund të negociohet. Europa, sipas saj, nuk do t'i kërkojë kurrë Serbisë të mohojë identitetin dhe historinë e saj, por do t'i kërkojë një përballje të sinqertë me të kaluarën.
Fjalën e mbylli me një zotim për procesin e integrimit: "Komisioni do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për të mbështetur rrugën europiane të Serbisë".
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

