Shefi i diplomacisë kosovare, Glauk Konjufca, e quan grumbullimin e forcave serbe pranë kufirit dhe sulmet e fundit në veri arsye për vigjilencë të shtuar. Ai paralajmëron se çdo lëvizje e re ushtarake do të ishte përshkallëzim i rëndë.

Kosova e merr seriozisht rrezikun e një përballjeje të re të armatosur me Serbinë. Kështu ka paralajmëruar ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i cili i cilëson ambiciet e Beogradit si kërcënim për sovranitetin e Kosovës dhe për stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë për portalin The Hungary Insider, Konjufca rikujtoi pasojat shkatërruese të luftës dhe vuri në qendër pretendimet territoriale të Serbisë, të cilat, sipas tij, mbeten burim shqetësimi. "Populli ynë kërkon sigurinë për të ndërtuar jetën në paqe. Serbia, megjithatë, vazhdon ta pretendojë vendin tonë si pjesë të territorit të saj, përderisa ne nuk kemi asnjë pretendim territorial ndaj asnjë fqinji", deklaroi ai.
Ministri tha se grumbullimi i forcave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën dhe sulmet e fundit në veri të vendit kërkojnë vigjilencë të shtuar. Ai tërhoqi edhe një vijë të qartë: çdo përqendrim i ri i forcave serbe pranë kufirit, apo çdo sulm ndaj territorit dhe infrastrukturës kritike të Kosovës, sipas tij, do të përbënte përshkallëzim të rëndë të situatës.
Për të parandaluar zhvillime të tilla, Konjufca vlerëson se nevojitet prani e fortë e NATO-s dhe koordinim i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Njëkohësisht, ai theksoi se Kosova do të vazhdojë të forcojë institucionet e saj të mbrojtjes, pa u larguar nga diplomacia, dialogu konstruktiv dhe orientimi euroatlantik.
Sipas kreut të diplomacisë kosovare, paqja afatgjatë në rajon mund të mbështetet vetëm mbi respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të secilit shtet.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

