Para kryediplomatit gjerman dhe komisioneres së BE-së për Zgjerim, ministri kosovar i Jashtëm ngriti çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kërkoi që Kosova të ecë drejt statusit të kandidatit.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës u bënë pjesë e tryezës së Procesit të Berlinit. Kreu i diplomacisë kosovare, Glauk Konjufca, e ngriti çështjen e tyre në një takim të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku ishin të pranishëm edhe kryediplomati gjerman, Johann Wadephul, dhe komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos.
Konjufca kërkoi që bashkëpunimi rajonal të mbështetet në barazinë mes shteteve. "Bashkëpunimi rajonal duhet të garantojë trajtim të barabartë për të gjithë partnerët e WB6, të përmbushë çdo angazhim dhe të mbrojë të drejtat e çdo komuniteti. I njëjti standard duhet të zbatohet edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës, të cilët vazhdojnë të përballen me pasivizimin, pengesat për njohjen e diplomave dhe nënpërfaqësimin në institucionet shtetërore. Nuk mund të ketë standarde të dyfishta", shkroi ai, duke iu referuar gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor.
Pjesa tjetër e mesazhit të tij u përqendrua te rruga evropiane e Kosovës. "Republika e Kosovës është gati të përparojë në një rrugë evropiane të bazuar në meritë, me progresin e gjykuar nga rezultatet. Progresi që kemi bërë tani duhet të reflektohet në lëvizje konkrete drejt statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave të pranimit", shtoi Konjufca.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

