Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri i Jashtëm i Kosovës i ka thënë homologut holandez se aktgjykimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit "shtrembëron të vërtetën historike" dhe duhet të rrëzohet në Apel.

Çështja e aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së u vendos mbi tryezën diplomatike në New York. Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, njoftoi se e ngriti këtë temë në takimin me ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen, të zhvilluar në margjinat e Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
"Takova Ministrin e Punëve të Jashtme të Holandës, Tom Berendsen, të cilit i ngrita çështjen e aktgjykimit të padrejtë të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. I shpreha qëndrimin tonë se ky aktgjykim shtrembëron të vërtetën historike, përbën një padrejtësi serioze dhe duhet të korrigjohet në shkallën e Apelit", deklaroi Konjufca.
Kërkesa e kryediplomatit kosovar është e qartë: vendimi i shkallës së parë duhet të ndryshohet nga shkalla e dytë, ajo e Apelit. Takimi me Berendsenin merr peshë të shtuar për faktin se Dhomat e Specializuara, institucioni gjyqësor që shpalli aktgjykimin, e kanë selinë në Holandë.
Takimi me homologun holandez ishte një nga disa kontaktet e ministrit kosovar gjatë qëndrimit në New York. Së bashku me kryeministrin Albin Kurti, Konjufca u takua me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grliç Radman. Kroacinë e cilësoi si një prej partnerëve më të afërt të Kosovës në rajon, "me të cilën ndajmë interesa të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe në avancimin e perspektivës euroatlantike të vendit tonë", duke theksuar se partneriteti ndër vite hap mundësi të reja për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në agjendën ekonomike u fut takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, L.T. Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan. Konjufca i vlerësoi marrëdhëniet politike mes dy vendeve si të shkëlqyera dhe theksoi synimin që kësaj afërsie t'i jepet më shumë përmbajtje ekonomike. "Biseduam për rritjen e investimeve dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona në vitet në vijim", tha ai.
Lista e takimeve përfshiu edhe ministrin e Jashtëm të Xhibutit, Abdoulkader Houssein Omar, si dhe biseda të shkurtra me kryeministrin e Ruandës, Justin Nsengiyumva, dhe ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Olivier Nduhungirehe. "Biseduam për forcimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe këtyre vendeve", u shpreh Konjufca, duke shtuar se nga New Yorku vazhdon angazhimin për forcimin e partneriteteve të Kosovës dhe avancimin e interesave të vendit në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, aktgjykimi mbetet temë e nxehtë edhe brenda vendit. Në Prishtinë, protesta "Jo në emrin tim" ka vazhduar për të shtatën natë radhazi, ndërsa përplasjet politike rreth qëndrimit institucional janë të hapura: në një reagim ndaj kryeministrit Kurti, Vlora Çitaku deklaroi se "Problemi nuk është sa u dënuan, por çfarë po dënohet". Nga ana e tij, djali i Jakup Krasniqit tha se "Institucionet i presim tash e gjashtë vjet", duke shtuar se "Dera vazhdon të jetë e hapur".
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

