Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se një ekspertizë juridike e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës konfirmon frikën e komunave: Projektligji për Pronën Publike mund t'ua marrë atyre pronësinë mbi pronën komunale dhe t'ua lërë vetëm administrimin.

Prona komunale mund të mos jetë më e komunave. Ky është thelbi i paralajmërimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), i cili ka bërë të ditur se ka pranuar ekspertizën juridike të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës për Projektligjin për Pronën Publike dhe për përputhshmërinë e tij me Kartën Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale.
Sipas AKK-së, ekspertiza është porositur nga Qendra e Ekspertizës për Qeverisje Shumënivelëshe pranë Kongresit, pas një kërkese zyrtare të vetë Asociacionit, dhe vërteton shqetësimet që komunat i kishin ngritur më herët. "Ekspertiza i konfirmon fuqishëm shqetësimet e ngritura nga AKK-ja", thuhet në njoftimin e Asociacionit.
Pika qendrore e kundërshtimit është statusi juridik i komunave ndaj pronës. AKK-ja thotë se projektligji rrezikon t'i shndërrojë komunat nga pronare në përdoruese, menaxhuese ose administruese të pronës, ndërsa pronësia do t'i mbetej nivelit qendror.
Pasojat, sipas ekspertizës, nuk do të ishin vetëm formale. Një zhvendosje e tillë mund të cenojë autonominë lokale dhe ushtrimin real të kompetencave komunale, duke prekur zhvillimin ekonomik lokal, planifikimin hapësinor, shfrytëzimin e tokës dhe realizimin e projekteve të infrastrukturës publike.
Asociacioni ka veçuar edhe kufizimin e mundësisë së komunave për këmbim dhe disponim me pronën, si dhe mungesën e qartësisë për statusin e pronës së blerë apo të krijuar me mjete komunale, të asaj të përfituar përmes donacioneve dhe të trashëgimisë. Sipas AKK-së, projektligji mund të rrezikojë të hyrat vetanake të komunave dhe të rrisë varësinë e tyre financiare nga niveli qendror.
Në aspektin juridik, ekspertiza evidenton shqetësime për mospërputhshmëri të mundshme të projektligjit me disa dispozita të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale. AKK-ja shton se edhe mungesa e një konsultimi të mirëfilltë me komunat dhe me Asociacionin mund të përbëjë problem në raport me kërkesat e Kartës. Në dokument, sipas Asociacionit, evidentohen po ashtu kundërthënie të mundshme me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, i cili garanton personalitetin juridik të komunave, të drejtën e tyre për të zotëruar dhe menaxhuar pronë, si dhe ushtrimin e kompetencave të plota dhe ekskluzive komunale.
Rekomandimi i ekspertizës, siç e paraqet AKK-ja, është i prerë: Projektligji për Pronën Publike duhet të rishikohet në mënyrë thelbësore para miratimit dhe pronësia komunale të ruhet shprehimisht.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

