Zjarrvënie, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe pronë e shkatërruar: Brukseli thotë se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, por u kërkon edhe autoriteteve shqiptare që reagimi i tyre të mbetet brenda ligjit.

Komisioni Evropian ka dënuar dhunën që ka shoqëruar protestat e vazhdueshme në Shqipëri, ku në Tiranë dhe në disa qytete të tjera janë regjistruar zjarrvënie, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrim i pronës publike e private.
"Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, dhe përgjigjja ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe proporcionale", thuhet në deklaratën e Komisionit.
Mesazhi i Brukselit shkon në dy drejtime. Nga njëra anë, Komisioni kërkon që fajtorët të mos mbeten të pandëshkuar: "Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes procesit të rregullt ligjor." Nga ana tjetër, ai u kujton institucioneve se forca e shtetit ka kufij dhe se liria për t'u mbledhur e për t'u shprehur nuk mund të cenohet. "Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, që duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore", nënvizon Komisioni.
Komisioni Evropian përshëndeti gjithashtu zotimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për protestë do të mbrohet, duke e lidhur situatën drejtpërdrejt me rrugën evropiane të vendit. "Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për protestë do të mbrohet. Në një vend kandidat të angazhuar fort në procesin e anëtarësimit në BE dhe që po bën progres të rëndësishëm në rrugën e tij drejt BE-së, ankesat duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore", thuhet në deklaratë.
Deklarata nuk përmend shkakun e protestave, as numrin e të lënduarve apo të të arrestuarve gjatë trazirave.
Dy burra nga fshati Sinë dyshohet se u përplasën me dhunë me dy policë ndërsa po shoqëroheshin në komisariat. Në të njëjtin bulevard të Peshkopisë, një 36-vjeçar u kap me thikë dhe shufër metalike.

