Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, u takua në Prishtinë me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ku bisedimet u përqendruan te situata e sigurisë në rajon.

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në selinë e KFOR-it në kampin Film City në Prishtinë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas njoftimit të KFOR-it, takimi u përqendrua te situata e sigurisë në rajon dhe te angazhimi i misionit të NATO-s për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.
Gjatë bisedimeve, gjeneralmajor Ulutaş vlerësoi kontributin e Mbretërisë së Bashkuar në mision. "Gjatë takimit, gjeneralmajor Ulutaş shprehu vlerësimin e tij për kontributin e gjatë dhe të vlefshëm të Mbretërisë së Bashkuar në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO", thuhet në njoftim.
KFOR-i theksoi se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me synim garantimin e një mjedisi të sigurt e të qetë dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë në Kosovë.
Në njoftim thuhet gjithashtu se misioni i NATO-s vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me përgjegjësitë e tyre për sigurinë.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

