Në konferencën e Kartës së Adriatikut në Zadar, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kërkoi që vendi të bëhet anëtar me të drejta të plota i nismës rajonale të sigurisë A5.

Kosova duhet të pranohet me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut A5. Këtë kërkesë e ngriti komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në konferencën vjetore të kësaj nisme, e cila u mbajt në Zadar të Kroacisë.
Në fjalën e tij, Jashari argumentoi se tranzicioni i suksesshëm i FSK-së dhe gatishmëria e saj për të kontribuar në misione ndërkombëtare e bëjnë Kosovën një partner të besueshëm. Sipas tij, vendi meriton të jetë pjesë e plotë e strukturave dhe iniciativave të sigurisë euroatlantike.
Konferencën e drejtoi komandanti i Komandës Amerikane për Evropë (EUCOM), gjenerali Alexus G. Grynkewich, ndërsa në të morën pjesë shefat e mbrojtjes nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Në qendër të diskutimeve ishin sfidat aktuale të sigurisë dhe nevoja për rritjen e bashkëpunimit rajonal.
Në margjinat e takimit, Jashari zhvilloi një varg bisedash me zyrtarë të lartë ushtarakë ndërkombëtarë, mes tyre me gjeneralin Grynkewich dhe me zëvendëskomandantin e JFC Naples, gjeneralin Peter K. Scot. Temat ishin bashkëpunimi mes forcave, koordinimi operacional dhe mbështetja për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Një takim i veçantë u zhvillua me komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovas, gjeneralmajorin Stephen Osborn, ku u bisedua për forcimin e partneritetit mes dy forcave.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

