Pjesa më e madhe e kryeqytetit ukrainas mbeti pa energji elektrike të enjten në mbrëmje, pas një vale të re bombardimesh ruse. Presidenti Volodymyr Zelenski raporton 78 të vdekur në dy ditë, ndërsa delegacioni i tij niset për bisedime me të dërguarit e Donald Trumpit.

Shumica e lagjeve të Kievit u zhytën në errësirë të enjten në mbrëmje. Bombardimet ruse shkëputën disa pjesë të rrjetit elektrik, sipas Ministrisë ukrainase të Energjisë, dhe ndërprerjet goditën edhe furnizimin me ujë dhe transportin publik.
"Ekipet po punojnë aktualisht për rikthimin e energjisë elektrike. Kjo do të marrë kohë", paralajmëroi ministria, e cila u bëri thirrje banorëve që ende kanë energji të kufizojnë konsumin.
Në vetë kryeqytetin, sulmet e së enjtes lanë katër të vdekur dhe të paktën 19 të plagosur, sipas kryetarit të bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.
Bilanci në shkallë vendi është shumë më i rëndë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenski, deklaroi se goditjet ruse të ditëve të fundit kundër Prylukit, Kramatorskut, Kievit dhe qyteteve të tjera ukrainase kanë vrarë 78 persona dhe kanë plagosur 215 të tjerë, vetëm gjatë datave 7 dhe 8 tetor.
Shifrat e OKB-së mbulojnë një periudhë më të gjatë. Në komunikatën e Volker Türk thuhet: "Që nga e hëna, të paktën 85 civilë thuhet se janë vrarë dhe 346 të tjerë janë plagosur në sulme ruse."
Në këtë sfond, Kievi po përgatitet për një raund të ri diplomatik. Zelenski njoftoi të enjten se negociatorët ukrainas do të zhvillojnë bisedime të premten dhe të shtunën në Shtetet e Bashkuara me të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, në kuadër të përpjekjeve për t'i dhënë fund luftës.
"Delegacioni ukrainas duhet të takojë nesër në Shtetet e Bashkuara Jared Kushner dhe Steve Witkoff. (…) Takimi pritet të zgjasë dy ditë", u tha Zelenski gazetarëve. Ai shtoi se mban shpresë edhe për pjesëmarrjen e një ekipi evropian.
Delegacionin ukrainas do ta përbëjnë shefi i kabinetit të Zelenskit, Kyrylo Budanov, ish-ministri i Mbrojtjes Rustem Umerov, si dhe dy zyrtarë të tjerë të lartë, Serhij Kyslytsia dhe David Arakhamia.
Nga Uashingtoni erdhi një paralajmërim i ashpër. Shefi i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, e cilësoi "ngërçin" aktual në konflikt si "shumë të rrezikshëm". "Njëri nga kampet, ose të dy, do të intensifikojnë atë që po bëjnë për të tentuar ta thyejnë kundërshtarin dhe t'i japin fund ngërçit", vlerësoi ai të enjten.
Tensioni u ndje edhe përtej kufirit ukrainas. Forcat ajrore polake ngritën avionë luftarakë dhe vunë në gatishmëri sistemet e mbrojtjes kundërajrore, për shkak të goditjeve ruse që synonin perëndimin e Ukrainës, njoftoi komanda operacionale e forcave të armatosura polake. Banorët e rajoneve të Lublinit dhe të Nënkarpateve, që kufizohen me Ukrainën, morën një njoftim alarmi.
Ushtria polake sqaroi se masat janë parandaluese dhe synojnë mbrojtjen e hapësirës ajrore kombëtare. Nuk është raportuar asnjë hyrje ruse në territorin polak.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

