Një ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë nuk zbulon asnjë detaj operacional, ndërsa Ambasada e SHBA-së kërkon nga qytetarët t'u shmangen zonave të protestës.

Dyzet e tetë orë përpara se trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë të lexojë aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, KFOR-i ka dalë me një deklaratë që nuk premton asgjë konkrete për terrenin, por rithekson mandatin: misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë thotë se e përshtat vazhdimisht qëndrimin e tij sipas mjedisit të sigurisë dhe kërkesave operacionale, ashtu që misioni të mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e qëllimit.
Për paralajmërimet se më 16 shtator, ditën e shpalljes së aktgjykimit, mund të zhvillohen protesta, KFOR-i tërheq një vijë të qartë. "Ne nuk komentojmë mbi masat specifike operacionale. KFOR-i ruan kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të zbatuar mandatin e tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999", thuhet në përgjigjen e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun e KFOR-it, dërguar Klankosova.tv.
Misioni i Aleancës Veriatlantike nënvizon se puna vazhdon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, ku secili vepron brenda rolit të vet përkatës si përgjegjës për reagimin në fushën e sigurisë. "KFOR-i mbetet i përkushtuar për të kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara", thuhet në të njëjtën përgjigje.
Për zhvillimet e së mërkurës ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Në njoftimin e saj, ambasada amerikane kërkon shmangien e zonave ku do të zhvillohet protesta dhe kujdes të shtuar për këdo që gjendet pranë grumbullimeve të mëdha. Ndër thirrjet e ambasadës është edhe shmangia e zonave ku mund të krijohen grumbullime të shumta, me paralajmërimin se rrugët mund të mbyllen dhe se trafiku mund të pengohet. Vendi dhe ora e protestave nuk janë bërë të ditura.
Aktgjykimi i të mërkurës është pika përfundimtare e një procesi gjyqësor që zgjati 234 ditë. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Vendimin do ta marrë një trup gjykues i përbërë nga gjyqtari amerikan Charles Smith III, në rolin e kryesuesit, gjyqtari gjerman Christoph Barthe, gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux dhe gjyqtari irlandez Fergal Gaynor. Aktgjykimi do të përcaktojë nëse katër ish-krerët e UÇK-së shpallen fajtorë apo të pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj tyre.
Në Kosovë, pritja po ndihet edhe jashtë sallave dhe zyrave: një flamur gjigant i UÇK-së është vendosur në objektin e Komunës së Lipjanit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

