Korporata Energjetike e Kosovës ka bërë publike shifrat e kontratës trevjeçare me kompaninë maqedonase JSC ESM: 24.4 euro për ton dhe një vlerë të mundshme deri në 73.2 milionë euro.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka dalë me detajet financiare të kontratës për shitjen e qymyrit te kompania maqedonase JSC ESM, duke përcaktuar shifrat kryesore të një marrëveshjeje që zgjat tri vjet.
Sipas KEK-ut, çmimi i fiksuar në kontratë është 24.4 euro për ton, pa TVSH, dhe do të mbetet i pandryshuar për 36 muaj. Bazuar në sasinë e paraparë, vlera e përgjithshme e marrëveshjes mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro.
Korporata e paraqet kontratën si një hap në bashkëpunimin energjetik mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke thënë se ajo i siguron të hyra të qëndrueshme, planifikim më të mirë të prodhimit dhe shfrytëzim më efikas të kapaciteteve minerare.
Një nga pikat që KEK-u nxjerr në pah është ndarja e përgjegjësive: sipas Korporatës, blerësi JSC ESM do të bartë të gjitha shpenzimet dhe përgjegjësitë për eskavimin, transportin dhe operacionet logjistike të tërheqjes së qymyrit, ndërsa KEK-u do t'i inkasojë mjetet për sasinë e qymyrit të tërhequr.
KEK-u thekson se marrëveshja vjen në një periudhë kur Korporata po realizon investime të mëdha në rehabilitimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike. Sipas saj, të hyrat nga shitja do të përdoren për mbulimin e kostove operative dhe kapitale, ndërsa një pjesë do të investohet në modernizimin e Divizionit të Prodhimit të Qymyrit.
Korporata e cilëson kontratën si një marrëveshje të bazuar në interesin reciprok dhe stabilitetin afatgjatë të sektorëve energjetikë të të dyja vendeve.
Familjet që aplikojnë vonë humbin muaj mbështetjeje, sepse subvencioni për faturat e rrymës nis vetëm nga muaji i aprovimit. Aplikimi për programin 2026-2027 është i hapur deri më 31 mars 2027.

