Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës skadoi më 7 gusht dhe u shkel, ndërsa mes dy vazhdimeve të seancës kaluan 32 ditë. Instituti Demokratik i Kosovës kërkon që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë çfarë pasojash juridike prodhojnë këto shkelje.

Tridhjetë e dy ditë pa vazhdim të seancës konstituive dhe një afat kushtetues i skaduar më 7 gusht: mbi këto dy fakte Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka ndërtuar një analizë që kërkon ndërhyrjen sqaruese të Gjykatës Kushtetuese.
Në një konferencë për media, KDI prezantoi analizën "Konstituimi i Kuvendit pas skadimit të afatit kushtetues - Mes nevojës për funksionalitet institucional dhe respektimit të rendit kushtetues", në të cilën identifikon katër çështje të hapura nga procesi i fundit konstituiv: pasojat e tejkalimit të afatit 30-ditor, kufijtë e së drejtës së propozimit, shkeljen e afatit 48-orësh për ndërprerjen e seancës dhe ushtrimin e kompetencave nga kryesuesi i përkohshëm.
Eugen Cakolli, i cili prezantoi analizën në emër të KDI-së, theksoi se pas konstituimit të Kuvendit dhe votimit të Qeverisë më 13 shtator vëmendja publike u zhvendos te funksionimi i institucioneve të reja, por që çështjet kushtetuese të mbetura pezull kërkojnë trajtim edhe në këtë fazë, për shkak të pasojave për legjislaturën aktuale dhe rrezikut që bllokadat të përsëriten.
"Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht dhe i njëjti u shkel. Tash duhet të sqarohet çfarë pasoje juridike prodhon kjo shkelje, nëse mund të vazhdohet procesi pas skadimit të afatit, dhe nëse po, mbi cilat rregulla do të duhej të ndodhte kjo. Lënia pezull e kësaj çështjeje u krijon hapësirë akterëve politikë që edhe në legjislaturat e ardhshme ta përshtatin kohëzgjatjen e konstituimit me marrëveshjet dhe kalkulimet e tyre", deklaroi Cakolli.
Ai rikujtoi se jurisprudenca kushtetuese e lidh respektimin e afatit me përfundimin e konstituimit, arsye për të cilën KDI kërkon që Gjykata Kushtetuese të përcaktojë efektet e tejkalimit të tij, përfshirë ndikimin e mundshëm në procedurat dhe aktet pasuese. Sipas Cakollit, në Gjykatën Kushtetuese ndodhen aktualisht dy raste, një për konstituimin e Kuvendit dhe një për votimin e Qeverisë, por këto janë vetëm dy prej katër elementeve që, sipas KDI-së, duhej të merrnin trajtim.
Cakolli sqaroi gjithashtu se shkelja e afateve nuk nënkupton domosdoshmërisht shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa vlerësoi se paqartësia kryesore mbetet se cilat janë pasojat konkrete dhe mënyra e zbatimit të tyre në raste të ngjashme në të ardhmen. Nga KDI u theksua se marrëveshjet politike dhe vendimmarrja e Kuvendit nuk mund t'i shlyejnë obligimet e akterëve institucionalë për respektimin e Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Pjesën e dytë të analizës e paraqiti Vullnet Bugaqku, i cili trajtoi të drejtën e grupit më të madh parlamentar për propozimin e Kryetarit të Kuvendit. Mungesa e propozimit në seancat e gushtit, sipas analizës, ngriti pyetjen se si zbatohet kjo e drejtë përballë detyrimit të Kuvendit për t'u konstituuar brenda afatit.
"Gjykata duhet të sqarojë nëse e drejta e propozimit mund të shterohet, në çfarë rrethanash, kush e konstaton këtë dhe si vazhdon procedura. Deputetët kanë nevojë ta dinë paraprakisht rrugën institucionale për rastet kur propozimi mungon ose procesi mbetet vazhdimisht i bllokuar", u shpreh Bugaqku, duke shtuar se kjo e drejtë nuk duhet të shndërrohet në instrument për zvarritjen e procesit.
Çështja e tretë lidhet me ndërprerjen e seancës. Ndërmjet vazhdimeve të 8 gushtit dhe 9 shtatorit kaluan 32 ditë, duke shkelur kufirin maksimal prej 48 orësh të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit. KDI kërkon të sqarohet kush ka përgjegjësi të veprojë në atë moment dhe përmes cilës procedure deputetët mund ta sigurojnë vazhdimin e seancës. Sipas Bugaqkut, kryesuesi i seancës nuk ndërmori asnjë lëvizje nga 8 gushti deri më 9 shtator për të përmbushur detyrimin e tij.
Elementi i katërt ka të bëjë me kryesuesin e përkohshëm. Neni 9(2) i Rregullores parashikon zëvendësimin në rast mungese ose refuzimi, por, sipas KDI-së, mbetet i pasqaruar zbatimi i këtij mekanizmi në rrethana të mosveprimit të zgjatur. "Çështja që kërkon sqarim është zbatimi i këtij mekanizmi në rrethana të mosveprimit të zgjatur, respektivisht kur ky mosveprim mund të konsiderohet refuzim", theksoi ai.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

