Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kërkojnë që mbrojtja diplomatike, ligjore dhe lobuese e ish-krerëve të UÇK-së, të dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale, të futet në planin e punës së Komisionit për Punë të Jashtme.

Fati i katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar në shkallë të parë nga Gjykata Speciale në Hagë, u bë tema që dominoi mbledhjen e parë të Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës pas konstituimit të tij më 13 shtator.
Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës kërkuan që angazhimi diplomatik për katërshen e UÇK-së të përfshihet zyrtarisht në planin e punës së komisionit, krahas mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, e vendosi çështjen ndër prioritetet e komisionit. Ai kërkoi që mekanizmat shtetërorë, përmes grupeve të miqësisë dhe diplomacisë parlamentare, të angazhohen për mbështetjen e ish-krerëve në aspektin diplomatik, ligjor dhe lobues.
"Çështja kyçe duhet të jetë ligji i votuar sa i përket Gjykatës Speciale, ku do të ketë një debat dhe përplasje dhe situata ku ne duhet të argumentojmë. Mendoj se çdo ligj që votohet në Parlamentin e Kosovës duhet të trajtohet njëjtë. Edhe ata që janë votuar më herët dhe këta që janë miratuar së fundmi. Sa i përket angazhimit dhe mbrojtjes së këtij ligji, diplomacisë parlamentare që mund të funksionojë përmes grupeve të miqësisë, duhet të kemi një vëmendje të veçantë sa i përket të akuzuarve dhe dënuarve në shkallë të parë në Hagë. Mekanizmi shtetëror është i angazhuar dhe ka pretendime të fuqishme se do të jenë karshi dhe konform ligjeve dhe mundësive që i ka ky shtet në mbrojtje diplomatike, ligjore dhe lobuese të atyre që ne konsiderojmë që janë padrejtësisht të dënuar. Kjo duhet të jetë edhe në kuadër të planit të punës", tha Reçica.
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, e çoi debatin te detyrimet ligjore të vetë komisioneve. Sipas saj, mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve është një nga përgjegjësitë e tyre dhe duhet përcaktuar qartë në planin e punës.
"Është mirë me përcaktua edhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. E kemi obligim si komisione parlamentare mbikëqyrjen e një ligji për një sesion. Brenda një viti kalendarik është obligim me u mbikëqyrë zbatimi i dy ligjeve. Po besoj kemi kohë që deri në dhjetor, pasi është fillimi i tetorit, dhe të shohim me u përcaktua edhe mbikëqyrjen e një ligji", theksoi Kadrijaj.
Diskutimi preku edhe dy dosje të tjera të mëdha të politikës së jashtme: procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rolin e Kuvendit në zhvillimet që lidhen me dialogun me Serbinë dhe me Dhomat e Specializuara.
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, vlerësoi rolin e komisionit në koordinimin me Ministrinë e Punëve të Jashtme gjatë procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ai kërkoi një mekanizëm mbikëqyrës dhe komunikim të strukturuar ndërmjet Kuvendit dhe institucioneve përgjegjëse për dialogun.
"U përmend si angazhim i suksesshëm anëtarësimi në Këshillin e Evropës, deri në këtë fazë që ka mbërritur ka pasur rol të madh komisioni parlamentar në koordinim me Ministrinë e Jashtme, po ashtu është edhe çështja e dialogut. Në këtë fazë të zhvillimeve që lidhet edhe me Dhomat e Specializuara dhe veprimet e Kuvendit duhet me pas një rol mbikëqyrës dhe mekanizëm që duhet të ndërtohet në komunikim për me subordinu këtë dialog me Kuvendin", tha Haziri.
Kryetarja e komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, la të hapur mundësinë që plani i punës të rishqyrtohet më vonë, për të përcaktuar prioritete të përbashkëta dhe për të koordinuar angazhimet e deputetëve në organizatat ndërkombëtare.
Në të njëjtën mbledhje, komisioni miratoi projektligjin për ndryshimin e ligjit për ndarjet buxhetore.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

