Boksieri jugafrikan Zolani Tete, 38 vjeç, u qëllua me armë para shtëpisë së tij në Mdantsane javën e kaluar, teksa përgatitej për rikthim në ring. Policia thotë se ka arrestuar katër persona, njëri prej tyre i akuzuar zyrtarisht për vrasje.

Katër persona, të moshave nga 22 deri në 28 vjeç, janë arrestuar gjatë fundjavës në lidhje me vrasjen e boksierit jugafrikan Zolani Tete, dyfish kampion botëror. Njëri prej tyre është akuzuar zyrtarisht për vrasje, njoftoi policia e Afrikës së Jugut në një deklaratë të publikuar të hënën.
Sipas policisë, Tete, 38 vjeç, u sulmua mbrëmjen e së premtes teksa po kthehej në shtëpinë e tij në Mdantsane, në provincën e Kepit Lindor. Ai u qëllua me armë dhe humbi jetën. Një grua 27-vjeçare, e cila ndodhej me të në veturë, i mbijetoi sulmit dhe po merr trajtim në spital.
Vrasja i dha fund një karriere që Tete po përpiqej ta riniste. Ai fitoi titullin botëror të IBF-së në kategorinë super-mizë në vitin 2014 dhe titullin botëror të WBO-së në kategorinë mizë të mesme në vitin 2017. Gjatë karrierës kishte fituar edhe titullin botëror të WBF-së në kategorinë mizë.
Emri i tij mbetet i lidhur me një rekord: në vitin 2017 iu deshën vetëm 11 sekonda për ta rrëzuar kundërshtarin me grushtin e parë dhe për ta mbrojtur kurorën e WBO-së, nokauti më i shpejtë ndonjëherë në një ndeshje për titull botëror.
Në vitin 2023, agjencia britanike kundër dopingut i vendosi Tetes një ndalim katërvjeçar, i cili përfundoi më 29 korrik. Pas kësaj, ai po përgatitej të kthehej në boksin profesionist.
Ministri i Sporteve, Gayton McKenzie, reagoi pas vrasjes me një deklaratë: "Afrika e Jugut ka humbur një nga luftëtarët më të mirë që ka nxjerrë ndonjëherë". Ai shtoi: "Ai po stërvitej për t'u rikthyer në ring. Besonte se kishte ende diçka për t'i dhënë këtij vendi. Kishte të drejtë, por tani nuk do ta ketë mundësinë. Atij, dhe të gjithëve ne, na e kanë vjedhur këtë."
Një autobus turistik holandez me 45 pasagjerë u përplas me barrierën mbrojtëse në rrugën Zernez-Susch, doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur. Policia Kantonale e Graubündenit e ka cilësuar rastin si vetaksident, ndërsa shkaqet mbeten në hetim.

