Drejtori i Onkologjisë, Dr. Ilir Kurtishi, thotë se asnjë pacient nuk ka mbetur katër muaj pa Palbociclib për mungesë bari dhe paralajmëron publikimin e kartelës së pacientes që vdiq. Shoqata “Renesansa” e lidh vdekjen e saj me ndërprerjen e terapisë.

lir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e hedh poshtë akuzën se një pacientje me kancer të avancuar të gjirit vdiq pasi mbeti katër muaj pa Palbociclib për shkak të mungesës së barit. Drejtori i klinikës, Dr. Ilir Kurtishi, njofton se nesër do të publikohet historia mjekësore e pacientes, me detajet se si e ka marrë terapinë.
"Klinika e Onkologjisë sqaron se nuk ka pacientë që kanë mbetur për katër muaj pa terapinë me Palbociclib siç shkruhet, për shkak të mungesës së këtij bari në Klinikë. Furnizimi me këtë medikament ka ndjekur dinamikën e paraparë të furnizimeve spitalore për të gjithë pacientët që trajtohen në institucionin tonë", thuhet në deklaratën e Kurtishit.
Reagimi vjen pas alarmit të ngritur nga shoqata “Renesansa”. Sipas saj, pacientja mbeti rreth katër muaj pa Palbociclib, më pas sëmundja përparoi me metastaza të reja në tru dhe ajo humbi jetën. Dy versionet mbeten ende përballë njëri-tjetrit, ndërsa nuk dihet ende se çfarë do të tregojë kartela klinike për marrjen e terapisë.
Kurtishi pohon se pas reagimit të shoqatës, QKUK-ja e kontaktoi atë drejtpërdrejt. "Shoqata “Renesansa” është kontaktuar drejtpërdrejt nga QKUK pas reagimit dhe gjatë këtij komunikimi, përfaqësuesit e Shoqatës kanë konfirmuar se pacientja po përballej me sëmundjen për herë të dytë në një stad të avancuar dhe ka qenë në gjendje të trajtimit për shkak të metastazave", deklaroi ai.
Në sqarimin e tij si onkolog, drejtori argumenton se përparimi i kancerit metastatik nuk ndalet domosdoshmërisht as me trajtim të rregullt. "Barnat e gjeneratës së re, përfshirë Palbociclib, janë terapi mbështetëse që synojnë të ngadalësojnë përparimin e sëmundjes, por shkenca mjekësore fatkeqësisht nuk garanton ndalimin e plotë të saj te çdo pacient", tha Kurtishi, duke shtuar: "Te disa pacientë, për shkak të specifikave biologjike individuale të tumorit, sëmundja zhvillon rezistencë dhe shfaq metastaza të reja (përfshirë ato në tru) edhe përgjatë kohës kur pacienti është nën terapi të rregullt."
Sipas tij, vendimet për fillimin, ndryshimin apo ndërprerjen e përkohshme të një terapie i merr konsiliumi mjekësor, në bazë të gjendjes shëndetësore të pacientit. "Ndërlidhja e drejtpërdrejtë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore me një faktor të vetëm të izoluar, pa një analizë të thellë të të gjithë historisë mjekësore dhe kartelës klinike të pacientit, është mjekësisht e pasaktë."
Kurtishi kritikoi edhe kohën kur u ngritën pretendimet. Ai tha se ato shqetësojnë pa të drejtë qytetarët e Kosovës, sidomos pacientët që janë aktualisht në terapi dhe familjarët e tyre, aq më tepër në tetor, muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit.
Klinika tani i kërkon shoqatës ta përcjellë sqarimin edhe te publiku i saj. "Nesër do të publikojmë edhe historinë mjekësore sigurisht duke ruajtur të gjitha normat e konfidencialitetit sipas ligjit në fuqi, ku specifikohen edhe detajet për marrjen e terapisë së përmendur. Kërkojmë që këtë sqarim të rëndësishëm ta bëjnë publik shoqata edhe për opinionin e gjerë në platformat e tyre."
Në hyrje të deklaratës, drejtori shprehu ngushëllime në emër të stafit: "Në emrin tim personal si Drejtor i Klinikës së Onkologjisë dhe në emër të të gjithë stafit mjekësor, dëshiroj të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për secilën familje që përballet me humbjen e më të dashurve të tyre." Ai shtoi se klinika mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjitha institucionet përkatëse për çdo sqarim mjekësor mbi trajtimet që ofron.
Një mosmarrëveshje për pronë mes babait dhe njërit prej djemve përfundoi me vdekjen e këtij të fundit. Prokuroria e Pejës akuzon vëllanë e viktimës se e qëlloi katër herë me pistoletë pa leje.

