Bashkëshortja, dy vëllezërit dhe motra e një burri të vrarë në shkurt të vitit 1998 u ulën para trupit gjykues për të rrëfyer ditën kur, sipas tyre, Muharrem Ibraj hyri i armatosur në shtëpinë e familjes. Ibraj gjykohet në mungesë për krime lufte.

"E kam kuptu që është i vdekur pasi kam pa gjak rreth kokës." Me këto fjalë, një nga vëllezërit e të ndjerit S.B. përshkroi para Gjykatës së Prishtinës çastin kur familja u ngrit nga dyshemeja e dhomës dhe pa se ai nuk po lëvizte më.
Më 28 shtator 2026, në gjykimin ndaj Muharrem Ibrajt, i akuzuar për krime lufte, u dëgjuan katër dëshmitarë, të gjithë familjarë të viktimës: bashkëshortja Zade Bajrami, vëllezërit Ali dhe Ramë Bajrami, si dhe motra Resmije Mushkolaj. I pandehuri nuk ishte në sallë, sepse gjykimi po zhvillohet në mungesë të tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), S.B. u vra nga të shtënat e Ibrajt më 28 shkurt 1998, në fshatin Osek Hylë të komunës së Gjakovës.
Në dhomë, gjashtë veta
I pari para trupit gjykues u paraqit Ali Bajrami. Ai tha se atë ditë në shtëpinë e vëllait ndodhej familja dhe disa të afërm të tjerë, kur i pandehuri, bashkë me vëllezërit e tij, hyri i armatosur. Sipas tij, Ibraj u fut në dhomën ku qëndronin ai, i vëllai dhe disa persona të tjerë, dhe nisi të qëllonte. S.B. mbeti i vrarë, ndërsa të tjerët shpëtuan.
Më pas, sipas dëshmisë së tij, të pranishmit u urdhëruan të dilnin në oborr, ku u mbajtën të mbështetur për mur dhe u goditën gjatë gjithë kohës me kondak arme, me shqelma e me grushte. Bajrami tha se e njihte mirë të pandehurin, sepse e kishte fqinj, dhe se fshati kishte vuajtur nga veprimet e tij. "E kam njohur se e kam pasë kojshi… Kemi vujtë prej tina, ka vra gjin", u shpreh ai. Sipas tij, në ditën kritike Ibraj ishte i veshur me uniformë të policisë lokale dhe mbante armë.
Vëllai tjetër, Ramë Bajrami, e nisi rrëfimin nga fjalët që paraprinë të shtënat. Ai tha se i pandehuri, sapo hyri në dhomë, filloi t'i shante e t'i ofendonte, e më pas qëlloi. "Aty ka shtënë në drejtim, aty kemi qenë 6 persona, vetëm kur e kanë pa qe u bo tym, erë baruti, na ton kemi ra përtokë, është bërë tym e pluhur", tha ai.
Kur tymi u shpërnda, sipas tij, të gjithë u ngritën për të dalë, përveç të vëllait. "Kur jemi çu me dalë jashtë të gjithë jemi çu me dalë, S. mbet, aty e kemi kuptu që është i vdekur, pasi i kam pa gjak rreth kokës", dëshmoi Ramë Bajrami.
Automatiku në korridor
Në seancën e pasdites foli bashkëshortja e të ndjerit, Zade Bajrami. Ajo kujtoi përballjen me vëllanë e të pandehurit, Ibrën, i cili, sipas saj, qëndronte në korridor me automatikun drejtuar nga gratë. Ajo riprodhoi edhe fjalët që i kishte thënë ai: "Ibra më ka thanë mua… “Hin mrena se ta boj shpinën ma butë se barku”. Edhe burri ma ka qitë dorën në krah edhe më tha me hi mrena".
Sipas saj, Muharrem Ibraj hyri në dhomën ku ishin bashkëshorti i saj dhe disa burra të tjerë. Bajrami tha se e pa vrasjen me sytë e saj dhe se skenën e panë edhe kunata dhe vajza e saj. Ajo shtoi se pas vrasjes në shtëpi erdhën dy policë serbë, të cilët morën telefonin e shtëpisë. Trupi i të ndjerit, sipas saj, qëndroi tri orë në shtëpi dhe dy ditë më vonë u varros në fshat.
Motra e viktimës, Resmije Mushkolaj, tha se e pa çastin kur i pandehuri qëlloi vëllanë e saj dhe se ai mbante uniformë të policisë lokale. Ajo rrëfeu se qëndroi mbi trupin e tij rreth tri orë.
Çfarë pretendon aktakuza
PSRK njoftoi më 19 mars 2025 se kishte ngritur aktakuzë ndaj një personi me nacionalitet shqiptar për krime lufte. Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1998-1999, në kohën e konfliktit të armatosur jondërkombëtar mes UÇK-së dhe forcave serbe, i pandehuri, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dhe ka kryer vrasje e dhunime. Këto pretendime ende nuk janë vërtetuar nga gjykata.
Shqyrtimi fillestar u mbajt më 3 dhjetor 2025. Fjalët hyrëse të palëve u dhanë me dyer të mbyllura, sepse njëra nga pikat e aktakuzës lidhet me veprën penale të dhunimit dhe gjykata vendosi të mbrojë integritetin e viktimës.
Çështjen e shqyrton trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani Hajra, me anëtarë Donikë Shala-Abdyli dhe Avni Syla. Seanca e radhës është caktuar për tetor 2026.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

