Afati i Gjykatës Kushtetuese skadon më 6 tetor, ndërsa takimet që Albin Kurti premtoi me opozitën ende nuk janë bërë publike. Pa president, Kosova shkon drejt zgjedhjeve të katërta në më pak se dy vjet.

Ora e Kuvendit të Kosovës po mbaron. Partitë politike kanë edhe katër ditë për të zgjedhur presidentin e ri. Nëse deputetët nuk e bëjnë këtë deri më 6 tetor, vendi shkon në zgjedhje që duhet të mbahen më së largu më 15 nëntor, të katërtat në më pak se dy vjet.
Të gjithë krerët e partive janë shprehur kundër një cikli të ri zgjedhor. Megjithatë, asnjë takim apo konsultim mes tyre për ta shmangur atë nuk është bërë publik deri tani.
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, premtoi të enjten se bisedimet me opozitën do të niseshin po atë ditë, menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ishte për vizitë në Kosovë.
"Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re", tha Kurti.
Pas kësaj deklarate, nuk dihet që ndonjë takim i tillë të jetë mbajtur.
Data e 6 tetorit u përcaktua javën e shkuar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas vendimit të saj, Kuvendi u konstituua përtej afatit kushtetues prej 30 ditësh, dhe pikërisht ky moment ka nisur rrjedhjen e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e dyta për nga madhësia në Parlament, thotë se tani është e gatshme të ulet për të diskutuar për presidentin, por me një kusht: Kuvendi duhet të miratojë ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Para verdiktit të kësaj gjykate ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, PDK-ja kishte refuzuar çdo takim me Vetëvendosjen. Ajo kishte dërguar gjithashtu në Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe të formimit të Qeverisë, të cilat gjykata nuk i gjeti antikushtetuese.
Kërkesa e PDK-së erdhi pas dënimeve për krime lufte: Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Me ndryshimet ligjore, kjo parti synon që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet vetëm te krimet e pretenduara në raportin e Dick Martyt dhe që puna e saj të vihet nën monitorim ndërkombëtar. Për krimet për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.
Aleanca, partia më e vogël parlamentare shqiptare, mbetet në refuzim. Ajo nuk pranon të takohet me Kurtin dhe Vetëvendosjen pa iu plotësuar kërkesat e saj, në krye të të cilave është ajo për gazin amerikan.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ishte e vetmja parti që u ul me Kurtin dhe arriti madje një marrëveshje për emrin e Bekim Sejdiut si kandidat për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër, duke rrezikuar shifrën prej 80 votash që nevojitet për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para. Sejdiu u tërhoq më pas nga kandidimi. Që nga 16 shtatori nuk është bërë i ditur asnjë takim tjetër mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Nëse afati kalon pa president, zgjedhjet e reja do t'i shtohen një vargu të gjatë. Në shkurt të vitit të kaluar kosovarët votuan në zgjedhje të rregullta. Në dhjetor u kthyen në kutitë e votimit, sepse qeveria nuk u formua dot. Në qershor të këtij viti votuan sërish, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur president. Tani, me katër ditë në dispozicion, i njëjti skenar rrezikon të përsëritet.
Invalidët e UÇK-së, familjarët e dëshmorëve dhe të të zhdukurve, si dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës që jetojnë jashtë vendit lirohen nga tarifat për dokumente. Vendimi i MPJD-së është në fuqi që nga 14 tetori 2026.

