Tetë muaj stërvitje në qendrën më të njohur të luftës speciale të ushtrisë amerikane e mbyllën me titullin "Distinguished Honor Graduate": një kapiten i Forcës së Sigurisë së Kosovës u vlerësua si i diplomuari më i dalluar i kursit.

Një kapiten i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i identifikuar me inicialet E.V., ka përfunduar Kursin Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë Amerikane (U.S. Army Special Forces Qualification Course - SFQC) dhe është vlerësuar me titullin "Distinguished Honor Graduate", shpërblimin që u jepet të diplomuarve më të dalluar të gjeneratës.
Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi zgjati më shumë se tetë muaj, nga janari deri në shtator 2026, dhe u zhvillua në U.S. Army John F. Kennedy Special Warfare Center and School në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, institucionin ku përgatiten Green Berets, forcat speciale të ushtrisë amerikane.
Programi përfshiu përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, kualifikimin 18A për oficer të togës së Forcave Speciale, si dhe ushtrimin përfundimtar "Robin Sage", provën e fundit që mbyll të gjithë ciklin e kualifikimit. Vlerësimi në fund të kursit, thotë FSK-ja, dëshmoi nivel të lartë të performancës profesionale, lidershipit dhe përkushtimit gjatë gjithë procesit.
"Kjo arritje përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe njëkohësisht dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, zhvillimin e kuadrove profesionale dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë", thuhet në njoftimin e FSK-së.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë e Kosovës theksojnë se do të vazhdojnë të investojnë në zhvillimin profesional të pjesëtarëve përmes edukimit dhe trajnimit në institucione prestigjioze ushtarake të vendeve partnere.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

