Pas dënimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit me gjithsej 81 vjet burgim, mediat në Serbi kaluan brenda minutash në gjuhë alarmi, terma pejorativë dhe pretendime për trazira në Prishtinë, Mitrovicë dhe Hagë.

Verdikti i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-liderëve të UÇK-së u shndërrua brenda pak minutash në ballina alarmi në mediat serbe. Titulli më i zhurmshëm i takoi tabloidit "Informer", që hapi faqen e tij me formulimin "Kaosi ka nisur", shoqëruar me termin pejorativ "Šiptari" për shqiptarët.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u dënuan, sipas raportimeve të mediave serbe, me gjithsej 81 vjet burgim. Për Thaçin, ish-presidentin e Kosovës, gazeta "Blic" raportoi një dënim prej 25 vjetësh.
"Informer" pretendoi se shqiptarët e zemëruar po shkaktonin trazira në Prishtinë, se po shkatërronin gjithçka dhe po sulmonin policinë para EULEX-it, dhe se pas verdiktit ishin paralajmëruar trazira në Mitrovicën Jugore dhe në Mitrovicën Veriore. Korrespondenti i gazetës beogradase nga Mitrovica raportoi se Policia e Kosovës ka shtuar praninë në urën e Ibrit. Këto pretendime mbeten raportime të tabloidit dhe nuk kanë konfirmim institucional.
Radiotelevizioni shtetëror i Serbisë, RTS, zgjodhi një ton tjetër: në titull vendosi emrat e katër ish-liderëve të UÇK-së dhe vitet e dënimeve për krime lufte, duke theksuar gjithashtu se Dhomat e Specializuara kishin rrëzuar akuzat se ata kishin kryer krime kundër njerëzimit. RTS njoftoi edhe se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do t'i drejtohej publikut në orën 18:30.
Gazeta "Politika" i quajti institucionet e Kosovës "të përkohshme" dhe listoi të pranishmit në sallën e gjyqit: të pandehurit, anëtarët e familjeve të tyre, ministrin e Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, ministrin e Familjes Andin Hoti, kryetarin e Shoqatës së ish-anëtarëve të UÇK-së, Hisni Gucati, dhe anëtarë të parlamentit nga Partia Demokratike e Kosovës.
"Blic", nga ana tjetër, e përqendroi shkrimin e vet në një video të shkurtër me reagimin e Thaçit pas shqiptimit të dënimit, duke përdorur në titull nofkën e tij të luftës, "Gjarpri".
Tabloidi "Kurir" nxori në ballinë skena të dhunshme para EULEX-it në Prishtinë dhe në Hagë. Sipas "Kurir", dhjetë minuta pas shpalljes së vendimit situata kishte dalë jashtë kontrollit dhe qindra shqiptarë kishin protestuar në Hagë, ndërsa policia holandeze u përgjigj me një top uji, sprej me piper dhe qen policie. Sheshi "Malieveld" në Hagë figuron si vendi i tubimit.
Tabloidi serb dhe televizioni publik i Serbisë ndanë të njëjtën ditë lajmin, por jo të njëjtin fjalor: nga "kaosi" dhe termat pejorativë të "Informer"-it, deri te formulimet e RTS-së për "të ashtuquajturën" UÇK dhe akuzat e rrëzuara për krime kundër njerëzimit.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

