Një sulm i gjerë xhihadist ndaj kampit ushtarak të Dioura, në qendër të Malit, u kushtoi jetën të paktën 50 ushtarëve malianë dhe pesë paramilitarëve rusë të Africa Corps. Disa burime flasin për 60 deri në 80 të vrarë dhe dhjetëra të zënë rob.

Kampi ushtarak i Dioura, në qendër të Malit, u shndërrua të enjten, 10 shtator, në një nga humbjet më të përgjakshme të ushtrisë maliane gjatë konfliktit që po e shkatërron vendin prej rreth pesëmbëdhjetë vitesh. Të paktën 50 ushtarë malianë dhe pesë paramilitarë rusë të grupit Africa Corps u vranë në një sulm të gjerë xhihadist, sipas burimeve të sigurisë dhe burimeve vendore që u kontaktuan të hënën, 14 shtator, nga agjencia France-Presse.
Sulmin e mori përsipër që të enjten Grupi i Mbështetjes së Islamit dhe Muslimanëve (GSIM), i afiliuar me Al-Kaidën. Bilanci mbetet i pasigurt dhe pa konfirmim zyrtar: disa burime flasin për një peshë edhe më të rëndë, mes 60 dhe 80 ushtarëve të vrarë, ndërsa dhjetëra ushtarë malianë u zunë edhe rob.
Një oficer i pranishëm në teatrin e operacioneve tregoi se bilanci është i lartë dhe se, pa përmendur të plagosurit, kanë humbur jetën më se 50 pjesëtarë të forcave, ndër të cilët pesë elemente të Africa Corps. Një burim sigurie në Mopti, në qendër të vendit, foli për më shumë se 60 ushtarë të vrarë dhe rreth gjashtëdhjetë të tjerë të zënë rob. Një përfaqësues i zgjedhur vendor, nga ana e tij, përmendi të paktën 80 ushtarë të vrarë dhe shumë robër, duke shtuar se xhihadistët u kthyen te kampi i Dioura ditën e nesërme dhe se ushtria nuk dërgoi forca të tjera në terren.
Në një komunikatë të publikuar të dielën për situatën në Dioura, ushtria maliane njoftoi operacione ajrore dhe tokësore kundër sulmuesve, duke folur për neutralizimin, në pjesën jugperëndimore të qytetit, të disa elementeve terroriste me motoçikletë që tentonin të fshihen nën një mbulesë bimore.
Në terren, banorët përshkruajnë një gjendje konfuze pas luftimeve të dhunshme. Sipas tyre, kampi mbeti bosh pas sulmit dhe të shtunën burra të armatosur u kthyen atje pa hapur zjarr, para se të largoheshin. Një përgjegjës vendor i shoqërisë civile pohon se helikopterë të ushtrisë kryen disa goditje në periferi të qytetit të dielën.
Mali përballet prej vitit 2012 me një krizë të thellë të sigurisë, të ushqyer nga dhuna e grupeve xhihadiste, e aleatëve të tyre, separatistëve tuareg të Frontit të Çlirimit të Azawadit (FLA), dhe e grupeve kriminale me bazë komunitare. Vendi saheljan, i drejtuar nga një juntë, i është afruar Rusisë, paramilitarët e të cilës nga Africa Corps i ndihmojnë forcat maliane në luftën kundër xhihadistëve.
Situata u bë edhe më kritike nga fundi i aprilit 2026, kur xhihadistët e GSIM-it, në aleancë me rebelimin e FLA-së, nisën një seri sulmesh të koordinuara kundër pozicioneve strategjike të juntës dhe të ushtrisë në disa qytete, përfshirë në rrethinat e kryeqytetit Bamako. Në atë valë sulmesh humbi jetën edhe ministri i Mbrojtjes.
Baza e Dioura është goditur në mënyrë të përsëritur gjatë vitesh nga xhihadistët dhe rebelët e FLA-së. Në maj të 2025-ës, GSIM-i mori përsipër atje vrasjen e rreth dyzet ushtarëve. Më 18 korrik të këtij viti, të paktën 50 ushtarë u vranë në Mali në një pritë të ngritur nga koalicioni i separatistëve tuareg dhe xhihadistëve kundër një kolone të ushtrisë që nisej nga Anéfisi drejt Gaos.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë promovoi një dokumentar që lartëson korpusin e Prishtinës, njësinë dy komandantët e së cilës u dënuan në Hagë për krime lufte. Në premierën në Nish ishte i pranishëm edhe njëri prej tyre, Vlladimir Llazareviqi.

