Pamje nga trazirat e marsit 2004 të bashkuara me incidente të viteve të fundit qarkullojnë në ekranet e kamionëve në zemër të Nju Jorkut, pikërisht kur qyteti mbledh liderët botërorë për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Objektivi i deklaruar i organizatorëve: zyrtarët e huaj që ndodhen atje.

Në Times Square, kamionë të pajisur me ekrane të mëdha po transmetojnë një montazh të vetëm në të cilin pamje nga trazirat e marsit 2004 shfaqen pranë incidenteve të viteve të fundit dhe rasteve të ndalimit të serbëve. Të gjitha këto paketohen nën narrativën e "jetës së vështirë të serbëve në Kosovë", ndërsa qyteti është kthyer në qendrën e aktivitetit diplomatik botëror gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kamionët u shfaqën pak para nisjes së Debatit të Përgjithshëm dhe Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë. Organizatorët e kanë paraqitur aksionin si nismë "humanitare" dhe "patriotike", por ata vetë kanë thënë se synojnë pikërisht zyrtarët dhe përfaqësuesit shtetërorë që ndodhen në Nju Jork për Asamblenë, një objektiv që përplaset me kornizimin humanitar. Sputnik, RTS dhe media të tjera serbe e kanë amplifikuar fushatën, duke i prezantuar materialet si pamje të "jetës së serbëve", pa e theksuar sa duhet se bëhet fjalë për përmbajtje të përzgjedhur nga organizatorët e fushatës.
Mbetet e papërcaktuar kush qëndron konkretisht pas aksionit. Në një raportim fushata përshkruhet si nismë e diasporës serbe, pa emërtuar organizatorë konkretë, ndërsa në një analizë të veçantë ajo cilësohet manovër e koordinuar e Serbisë dhe Rusisë. Edhe përmbajtja e ekraneve përshkruhet ndryshe: një version i raportimit përmend mes pamjeve edhe protesta të vitit 2026 dhe incidente të vitit 2023, ndërsa analiza flet vetëm për trazirat e marsit 2004 dhe për arrestime, protesta e ndërhyrje institucionale të viteve të mëvonshme.
Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride "Octopus", Arben Fetoshi, autor i analizës me titull "Kamionët e 'viktimizimit' në Nju Jork", pretendon se veprimi është pjesë e një strategjie më të gjerë komunikimi që synon të ndikojë opinionin perëndimor dhe Kosovën ta paraqesë si shtet "shtypës" ndaj komunitetit serb. Sipas tij, as koha as vendi nuk janë zgjedhur rastësisht: në atë periudhë mundësia që mesazhet të marrin vëmendje ndërkombëtare rritet dukshëm.
"Bëhet fjalë për një aparat propagandistik që ka përzgjedhur pamje reale nga ngjarje të ndryshme në kohë, duke i shndërruar në 'dëshmi' për linçimin e vazhdueshëm të serbëve. Kjo përforcohet edhe me mesazhe që shprehin mbështetje për Presidentin Trump", thuhet në analizën e Fetoshit.
Sipas vlerësimit të tij, nxjerrja e rasteve nga konteksti kohor dhe bashkimi i tyre në një sekuencë të vetme krijon përshtypjen e një modeli të vazhdueshëm të dhunës ndaj serbëve në Kosovë. Ai vëren edhe një ndryshim krahasuar me fushatat e ngjashme të dy viteve të fundit: më herët në kamionë ishin shfaqur edhe pretendime lidhur me krimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), element që nuk është evidentuar deri më tani në fushatën e sivjetme. Këtë ndryshim Fetoshi e lidh me deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë dhe me përpjekjet e Beogradit për ta paraqitur narrativën e vet rreth UÇK-së si tashmë të konfirmuar.
Në analizë, aksioni në rrugët e Nju Jorkut lidhet edhe me paralajmërimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Fetoshi i cilëson kamionët si "vizualizim paralel" të linjës politike që Beogradi pritet ta paraqesë diplomatikisht, duke shtuar se narrativa përputhet me qëndrimet e Rusisë mbi atë që Moska e quan aplikim të "standardeve të dyfishta" nga Perëndimi. Në material përmenden deklarata të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov, si edhe raportimi i RT Balkan, që fushatën e ka titulluar "Terrori i Kurtit kundër serbëve ka mbërritur në Nju Jork".
Sipas Fetoshit, pala serbe synon të ndërtojë një lidhje mes akuzave ndaj UÇK-së, shtetësisë së Kosovës, ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe zhvillimeve aktuale në veri të vendit, ndërsa Rusia përpiqet ta përdorë narrativën për të argumentuar se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ka qenë e paligjshme dhe për të akuzuar vendet perëndimore për "hipokrizi". Ai përmbledh se "Kurthi serb dhe rus në Nju Jork është presioni ndaj Perëndimit lidhur me 'gabimin' e vitit 1999", duke paralajmëruar se në shenjë nuk është vetëm imazhi i Kosovës, por edhe raportet e Perëndimit me Ballkanin.
Përmes pamjeve të përzgjedhura, heqjes së kontekstit dhe përsëritjes së të njëjtit mesazh nëpër media, fushata synon të ndikojë mënyrën se si audienca ndërkombëtare e percepton Kosovën. Datat e sakta të shfaqjeve në Times Square nuk janë bërë publike.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

