Parku dhe fusha sportive në lagjen Kalabria janë hapësirat e para publike të kryeqytetit që kalojnë nën mbikëqyrje me kamera, ndërsa deri në fund të vitit synohet mbulimi i të gjitha parqeve, përfshirë Gërminë, Arbërinë dhe Tokbahçen..

Loja e fëmijëve, lëvizjet dhe qëndrimet e qytetarëve në parkun e lagjes Kalabria në Prishtinë janë që nga kjo javë nën vëzhgimin e kamerave. Hapësira dhe fusha sportive aty janë vendosur nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, si lokacioni i parë i një skeme monitorimi që synon të shtrihet në të gjitha parqet publike të kryeqytetit.
Vendosja e kamerave është planifikuar si pjesë e lokacioneve të reja që parashihen në fazën e dytë të monitorimit në Prishtinë. Projekti ka nisur zbatimin këtë vit.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, ka sqaruar radhën e hapësirave që do të mbulohen. "Parku i parë është parku dhe fusha sportive që është në lagjen "Kalabria" dhe do të vazhdohet me të gjitha parqet dhe fushat sportive të cilat janë vlerësuar se duhet të monitorohen, poashtu do të vendosen kamera edhe në parkun e Gërmisë, në parkun "Arbëri" dhe në parkun e Tokbahçes pra në të gjitha parqet", ka theksuar ai për RTV Dukagjinin.
Afati i punimeve, sipas tij, shtrihet përtej këtij viti, ndërsa projekti sjell edhe një element që nuk lidhet vetëm me parqet. "Parqet si të tilla po planifikojmë të përfundojnë brenda këtij viti, por pastaj do të ketë edhe një fazë në vitin e ardhshëm se kjo është një kontratë trevjeçare, por që faza e dytë mund të përfundojë edhe më herët, por do të vendosen kamerat dhe risia është që do të vendosen edhe radarët mobilë për matjen e shpejtësisë", ka deklaruar Fushtica.
Nxitja kryesore për mbikëqyrjen e këtyre hapësirave është dëmtimi i vazhdueshëm i tyre: lodrat, ulëset dhe pajisjet e tjera në parqet publike shkatërrohen shpesh menjëherë pasi vendosen ose rinovohen. Me aktivizimin e kamerave janë paralajmëruar masa ndëshkuese për personat që dëmtojnë hapësirat publike, pa u bërë publike ende se çfarë masash konkrete do të zbatohen.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

