Pas lodrave të shkatërruara dhe rasteve "godit e ik" të zbardhura nga pamjet, Prishtina hyn në fazën e dytë të kamerave të sigurisë: 55 lokacione të reja, të gjitha parqet dhe një Qendër Operative nën mbikëqyrjen e Policisë.

Parqet e Prishtinës, ku Komuna ka investuar në lodra dhe pajisje që më pas janë shkatërruar, do të vihen nën syrin e kamerave të sigurisë. Kryeqyteti ka nisur fazën e dytë të projektit, që e zgjeron rrjetin me 55 lokacione të reja dhe e çon numrin total në mbi 120.
Lulzim Fushtica, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, tha në një intervistë për Ekonomia Online se faza e parë është përmbyllur me kamera në 55 lokacione, me rreth 220 pamje që Policia e Kryeqytetit i monitoron 24 orë në ditë.
Për hapin e dytë është nënshkruar një kontratë trevjeçare. Sipas Fushticës, vendet ku do të shtrihet rrjeti janë përcaktuar mbi bazën e vlerësimeve të përbashkëta të rrezikshmërisë, të bëra nga Policia dhe drejtoritë përkatëse të Kryeqytetit. Risia kryesore janë parqet.
"Risi për fazën e dytë do të monitorohen apo do të vendosen kamera në të gjitha parqet e Kryeqytetit. Pra, duke nisur me Parkun e Gërmisë, Parkun e Qytetit, Parkun e Arbërisë, në Taukbahçe, në Ulpianë, në Dardani, pra ku kemi të bëjmë me investime si në ndërtimin e parqeve, po ashtu edhe vendosjen e lodrave dhe pajisjeve të tjera përcjellëse, të cilat për fat të keq nga personat e pandërgjegjshëm janë shkatërruar", tha ai.
Krahas kamerave të reja, projekti parasheh ngritjen e një Qendre Operative për monitorimin e tyre. Sipas drejtorit, qendra do ta rrisë kapacitetin e Policisë së Kryeqytetit për të ndjekur pamjet, ndërsa objektivat mbeten siguria publike, siguria në trafik, parandalimi dhe zbulimi i veprave penale, si dhe ruajtja e hapësirave publike dhe e pronës komunale.
Fushtica e mbështet zgjerimin te rezultatet e fazës së parë. "Realisht si Kryeqytet kemi pasur përfitime të mëdha", deklaroi ai, duke iu referuar statistikave zyrtare të Policisë së Kryeqytetit. Sipas tij, kamerat kanë ndihmuar në zbardhjen e aksidenteve të trafikut, sidomos të atyre ku shoferi largohet nga vendi i ngjarjes ("godit e ik"), por edhe të vjedhjeve dhe aktiviteteve të tjera kriminale. Ai shtoi se pamjet kanë rritur besimin e qytetarëve te Policia dhe te institucionet e Kryeqytetit.
Drejtori pranoi se me kamerat janë shtuar edhe gjobat në trafik, "jo si masë që ne e dëshirojmë e as Policia, Njësia e Policisë së Kryeqytetit e dëshiron këtë", por si mënyrë për t'i vetëdijesuar qytetarët për shkeljet në komunikacion. Të hyrat nga gjobat, sipas tij, kthehen në buxhetin e Kryeqytetit dhe përdoren për investime në siguri dhe për projekte të tjera kapitale.
Çështja më e ndjeshme, privatësia, u ngrit qysh në nisje të projektit, para tri vjetësh. "Kemi pasur ankesa, kemi pasur debat. Ne këtë debat e kemi shterur si në aspektin publik, ashtu edhe në aspektin ligjor", tha Fushtica. Ai pohoi se Komuna ka marrë të gjitha lejet e nevojshme nga Agjencia për Informim dhe Privatësi dhe se Policia e Kosovës ka procedurat standarde të veprimit për mënyrën se si monitorohen kamerat.
Për të qetësuar qytetarët, drejtori iu referua nenit 25 të Ligjit për Policinë, i cili sipas tij e përcakton Policinë si institucionin e vetëm me të drejtë të monitorojë hapësirat publike. Kamerat e Prishtinës, theksoi ai, nuk i ndjek askush tjetër përveç Policisë.
Pas vitesh pritjeje, mosmarrëveshja për qindra miliona euro të paguara nga buxhetet komunale arriti në fazën e parë dëgjimore. Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, thotë se niveli qendror as që u paraqit.

